AktualitetPolitikëTë fundit

Protesta e opozitës, Berisha: Nuk ndalemi pa realizuar objektivat, mos prekni protestuesit

Prej rreth një ore opozita po proteston sot në Tiranë duke bllokuar rrugët kryesore.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili pas më shumë se një viti ju bashkua protestuesve në terren, duke shkuar fillimisht tek rruga e “Elbasanit”. Ai theksoi se mosbindja civile është kodi i përmbysjes së diktatorit.

Berisha theksoi se forma të mosbindjes civile janë shfaqur edhe në Kuvend, ndërsa shtoi se kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari dhe se nuk do të ndalojnë pa realizuar objektivat; qeveri teknike, zgjedhje të lira.

“I përshëndes mbarë qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se, kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë dhe se ne nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike, zgjedhje të lira.

Mosbindja civile është kodi i përmbysjes së diktatorit. Janë 15-20 forma të mos bindjes civile të shfaqura në parlament dhe kudo. E rëndësishme është që projekti i mosbindjes civile të realizojë qëllimet e veta. Me Ramën nuk ka zgjedhje, por ka betejë për zgjedhje dhe jemi shumë të qartë”, tha Berisha.

Berisha përshëndeti protestuesit të cilët i janë bashkuar mosbindjes civile.

“Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar, objektivat e tyre.  Sot një nga ditët më të veçanta të dhjetorit, por sot është përsëri dita e demokratëve. Ja ku jemi në detyrë.  Në protestë. Në revoltë. Në mosbindje, ndaj narkodiktatorit. Ky dimër premton të jetë i vështirë, si për argatin e Tiranës, ashtu dhe për padronin e Beogradit.

“Edhe në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin edhe në Tiranë të ardhme nuk ka. I përshëndes nga zemra, të gjithë ata qytetare e qytetarë, demokrate e demokratë që janë mbledhur sot nga të katër anët e vendit dhe kanë marrë Tiranën”, tha Berisha.

Ish-kryeministri pas kësaj ndalese, ka marshuar nga rruga e Elbasanit në drejtim të bashkisë së Tiranë.

Para godinës së bashkisë së Tiranës, Berisha përshëndeti drejtuesit e Partisë Demokratike të cilët për muaj me radhë kanë organizuar protesta kundër kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Erdhët në çdo kohë në 43 gradë të nxehtit, por i dhatë hajdutit atë që meritonte e diskredituat e bëtë atë të ikë si mi nga një krah në një krah tjetër. Kjo protestë e juaja, kjo mosbindje civile e juaja do të rezonojë në vite e vite si beteja më fuqishme kundër vjedhjes së qytetarëve, si beteja më e fuqishme për rikthimin e shtëpisë së parë qytetarëve të Tiranë. Ju sërish do të vini dhe ta nxjerrim për leckash që ta varim në shtyllën e turpit shqiptar”, tha Berisha.

Teksa ka vijuar marshimin e tij drejt “Zogut të zi”, ku dhe përshëndeti protestuesit, Berisha u bëri thirrje oficerëve të policisë të mos prekin protestuesit.

“Nuk mundet që policia të prekë qytetarët në mosbindje civile sepse duhet të mendohet 7 herë para se ta bëjë atë. Mosbindja ka disa forma të tjera që tmerrojnë qeveri e polici shumë herë më shumë se kjo. Mos prekni asnjë protestues, janë në të drejtën e tyre kushtetuese”, tha Berisha.

Fraksion.com