AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Sot Tirana në duart e qytetarëve, mbyllja e TikTok akt censure

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi sot qytetarët që të marrin pjesë sot pasdite në atë që e cilësoi si marshim në Tiranë.

“Sot është dita e një revolte, e mosbindjes civile, të PD-së dhe opozitës, në emër të mbi 1.1 milion shqiptarëve që u larguan nga Shqipëria nga ky regjim për shkak të varfërisë dhe privimit të lirive. Është revolta në emër të 800 mijë pensionistëve, që u trajtuan nga kjo qeveri në mënyrën më çnjerëzore”, tha Berisha në një konferencë për mediet.

Kreu i PD u shpreh se, kjo është protesta në emër të qindra mijëra të rinjve, të cilët kanë si alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.

“Është revolta e mbarë shqiptarëve që duan të jetojnë në Shqipëri. Që duan të ndërtojnë jetën, mirëqenien dhe të ardhmen në këtë vend ku plaçkiten nga një grup hajdutësh që nuk i kanë pasur kurrë në historinë e vendit”, tha ai.

Kjo protestë, kjo revoltë vijoi Berisha, “zhvillohet edhe në shenjën e sakrificës që demokratët janë të vendosur të bëjnë në emër të shqiptarëve në këto prag festash”.

“Ndaj ftoj qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë sot në ora 5, marshim në Tiranë, Tirana në duart e qytetarëve”, u shpreh kreu i PD.

Berisha gjithashtu reagoi edhe për bllokimin e rrjetit social TikTok në Shqipëri për 1 vit.

Sipas tij, kjo ccështje ka të bëjë me lirinë e fjalës.

Berisha u shpreh se, PD dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime në TikTok dhe se kryeministri Rama është tmerruar nga ky sukses.

“TikTok është një platformë, e cila nuk prodhon rrugaçëri siç pretendon Edi Rama”, tha Berisha.

Sipas Berishës, ky akt ka arsye strikt karrigen dhe pushtetin e kryeministrit Rama.

Sepse, shtoi Berisha, “në qoftë se manipulon gjerësisht mediat, manipulon gjerësisht sondazhet dhe pollet, nuk manipulon dot TikTokun dhe rrjetet e tjera sociale. Ndaj dhe ai ka shprehur në mbledhjet e brendshme shqetësimin e madh për dominimin e opozitës në këto rrjet”.

Berisha solli të dhënat e fundit mbi raportet e PD me TikTokun.

“Sipas një kompanie shumë serioze të studimit. PD dominon në mënyrë dërrmuese në audiencë, por edhe në postime sepse këtu nuk mund të censurohet”, tha ai.

“Është pikërisht ky shkaku, tmerri nga suksesi, nga pëlqyeshmëria e lartë publike e opozitës në TikTok dhe mediat sociale, e cila përmbys të gjithë piramidën e mashtrimit të tij të bazuar në mediat konvencionale dhe pollet e përditshme që bën”, theksoi Berisha.

Berisha i garantoi të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve do të jetë hapja përfundimtare e TikTokut.

“E dënoj me ashpërsinë më të madhe. Unë i siguroj gjimnazistët dhe studentët, sepse thotë jam këshilluar me prindërit, le që nuk është këshilluar fare, me prindërit që nuk e përdorin TIkTokun, nuk ke pse këshillohesh. Duhet të këshillohesh me ata që e përdorin, kjo dihet që është pasioni i të rinjve. I garantoj të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve të 11 majit do të jetë hapja përfundimtare e TikTokut dhe ndëshkimi i xhelatit të fjalës së lirë për krim kushtetues. Sepse po shkel nenin 22 të Kushtetutës”, tha Berisha.

Berisha reagoi edhe për rëndimin e akuzës me kërkesë të GJKKO për ish-ministrin, Ilir Beqaj.

Sipas tij, kjo është meritë e opozitës dhe protestës së qytetarëve.

“Kjo opozitë po i zbërthen një nga një, ata dhe anëtarët e organizatës kriminale”, tha Berisha, duke shtuar se, “këto dhe ato që ndodhin me Erion Veliajn, janë merita të një opozite që nuk rreshti kurrë”.

“Nuk i mbyll dot kush dy vjedhjet e mëdha të shekullit. Vjedhjen e parë, të inceneratorit. Vjedhjen e dytë, sterilizimin. Nuk ka forcë në botë që mund ti mbyllë ato. Kurrë”, theksoi Berisha.

 

Fraksion.com