AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

“Parlamenti Kosovë- Shqipëri”, Kurti: Agresionet e Rusisë dhe Serbisë e kanë bërë urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën plenare të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, tha sot se “dy shtetet tona edhe pse të themeluara në një distancë kohore nga njëri tjetri janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë shekullore të shqiptarëve për ruajtjen e identitetit dhe bashkimit kombëtar”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Kurti theksoi se “legjislatura e parë e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhjet pluraliste e njohu shpalljen e Republikës së Kosovës me rezolutën e datës 21 tetor 1991. Ndjenja e vëllazërisë vetëdija historike dhe përgjegjësia para qytetarëve që na kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar motivojnë mbledhje si këto”.

Kryeministri Kurti u shpreh se “si kryesues i qeverisë së Kosovës shpreh kënaqësi që sot kuvendet e sy shteteve bëjnë bilancin e dhe vlerësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta qeveritare dhe që besoj se mbulojnë të gjitha fushat e veprimet shtetëror, që nga mbrojtja , infrastruktura, bujqësia shkëmbimet tregtare, tregu i përbashkët energjetik, turizmi, lëvizja ndërkufitare pa kontrolle, njohja e kontributeve shoqërore për efekt të pensioneve, tekstet e përbashkëta shkollore, organizimi i veprimtarive të përbashkëta artistike dhe sportive, reduktimi i procedurave administrative për banim , studim, punësim e sipërmarrje etj. Rezultatet e deritanishme të këtyre marrëveshjeve janë të prekshme për qytetarët dhe nxitëse për të vijuar më tej në këtë rrugë”.

Duke përmendur disa nga arritjet e përbashkëta të dy vendeve, Kurti theksoi se “ Shqipëria është ndër 5 vendet e para me të cilën Kosova ka vëllimet më të mëdha të shkëmbimeve tregtare dhe partneri kryesor tregtar i Kosovës për vitin 2023 me vlerën 440 milionë euro. Tregu i përbashkët energjetik ALPEX Albanian Power Exchange është funksional. Lëvizja pa asnëj kontroll e qytetarëve në kufi për një periudhë 9 mujore dhe gjatë fundjavave. Hapja e 26 vendkalimeve të reja  për mbi 200 mijë banorë të zonave kufitare dhe rehabilitimi i disa segmenteve rrugore të fshatrave kufitare Shqipëri-Kosovë. Hapja e dy zyrave doganore në Durrës dhe Porto-Romano dhe reduktimi i skanimit të dyfishtë nga 100% në 10%. Hapja e korridoreve të reja për fluturime komerciale që kanë shkurtuar fluturimet për dhe nga Kosova. Ofrimin e shërbimeve mjekësore nga spitalet e zonave kufitare , Kukës, Gjakovë, Prizren për banorët e tyre”.

Më tej Kurti theksoi se “siç ka thënë prozatori ynë i mirënjohur Primo Shllaku, “Kufiri ndërmjet Kosovë dhe Shqipërisë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës”. Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe po ashtu për monitorimin e zbatimit të tyre. Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes dy shteteve do të ndihmonin në këtë drejtim”.

“Kemi punë përpara jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe për të ndihmuar për sigurinë e jetesën e dinjitetshme të shqiptarëve në shtetet fqinje, në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, por sidomos në Luginën e Preshevës. Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Europë, prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm  kemi ndarë si qeveri e Kosovës 4 milionë euro për Luginën e Preshevës, uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për  Shqipërinë”.

“Ne në Kosovë na gëzon fakti që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe vend kandidat për të qenë në Bashkimin Evropian. Kosova ka aplikuar për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe po përparon në këtë drejtim, për aq sa e lejon situata ku ajo ndodhet kryesisht për shkak të refuzimit agresiv të Serbisë për të na njohur si shtet por edhe për shkak të mosnjohjes nga  5 vende anëtare të BE-së. Ndërkaq NATO është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO. Kosova po bën hapa gjigandë drejt NATO-s. Ne do anëtarësohemi në NATO sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë”, tha Kurti

Kurti u shpreh se “ndërkaq NATO-ja është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO. Mirëpo, Kosova po bën hapa gjigantë drejt NATO-s. NATO nuk ka armatim të vetin, NATO e ka vetëm armatimin e shteteve anëtare dhe për dallim nga viti 2018-2020 kur kishin më pak se katër milionë euro investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milionë euro investim në armatim dhe municion. Pra ne nuk mund të anëtarësohemi në NATO se nuk jemi mjaftueshëm të fortë por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë sepse edhe do të kontribuojmë”.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë dhe ky i fundit në kanalin Ibër-Lepenc, që vijnë nga e njëjta adresë, Serbia e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia dhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin e Kosovës në NATO. Forcat e Sigurisë së Kosovës është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e Aleancës dhe ne besojmë se Shqipërinë e kemi në krah të përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike ndaj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë. Qysh në vitin e kaluar edhe në këtë vit, edhe vitin e ardhshëm ne tejkalojmë kriterin prej 2% të bruto produktit vendor që është i vendosur në samitin e Wales-it para 10 vjetëve të NATO-s kur u përcaktua si kriter”, nënvizoi Kurti.

Kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se “edhe në Kosovë edhe në Shqipëri besoj që duhet t’i kushtojmë rëndësi të posaçme katër kategorive shoqërore: aktivizimit dhe të drejtave të grave që na e dyfishojnë kombin, rinisë që është energjike dhe shumëgjuhëshe si asnjë tjetër në Ballkan, diasporës që është më e madhe dhe patriotike, sërish, si asnjë tjetër nga Ballkani, dhe zhvillimit të fshatit e të malësive tona”.

“Në Kosovë, rritja ekonomike mesatare në këtë katër vjeçar ishte më e larta prej se kemi shpallë pavarësinë e po ashtu edhe avancimi demokratik, luftimi i korrupsionit e progresi shoqëror. Gjithashtu si asnjëherë më parë kemi shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës, kemi integritet territorial dhe sot që po flasim në Kosovë mund të ketë akte sporadike terroriste, por nuk ka më burime të brendshme që mund të na cenojnë sigurinë apo stabilitetin. Terrorizimi i paramilitarëve të orkestruar e të financuar nga Serbia është shprehje e pafuqisë së tyre. Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt në kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre”, tha Kurti.

Kurti tha se “vitin tjetër, Kuvendet e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë do të riformohen, sipas vullnetit që qytetarët do të shprehin në kutitë e votimit. Cilëtdo qofshin deputetët që do t’i përfaqësojnë, unë jam i sigurt se mbledhjet e përbashkëta të dy Kuvendeve do të vijojnë me të njëjtën frymë dhe dobi publike, sikurse kjo mbledhje e sotme”.

Fraksion.com