MEPJ: Dëmtohet ambasada shqiptare në Kiev, vetëm dëme materiale
Fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev janë dëmtuar si pasojë e një serie sulmesh ajrore të Federatës Ruse.
Lajmin e dha Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e cila dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale.
“Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës. Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale”, bën të ditur Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, thekson MEPJ.
Fraksion.com