AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Vetingu, procesi më i korruptuar që ka njohur ndonjëherë Europa

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot në një konferencë me gazetarët u ndal tek ligji për anulimin e masave administrative në fshat, miratuar nga Kuvendi në seancën e djeshme plenare.

Sipas Berishës, gjobat në fjalë nuk u fallen fshatarëve, por miqve të Qeverisë

“Ky është ligji, ta dinë shqiptarët. Është lista e bizneseve të tjera, të cilat ndodhen në zonat rurale. Këto jo vetëm që u falën dje, sepse kanë paguar mirë deputetët dhe Edi Ramën, por këta fill pas heqjes së gjobës, fitojnë të drejtën e legalizimit, u legalizohen objektet e ndërtuara”, deklaroi Berisha.

“Dhuratat e fundvitit të qeverisë për rrethin e saj, për famozin Gjikuria, për Qefalinë dhe dhëndrin e tij dhe për biznesmenë të tjerë që kanë ndërtuar në zona rurale, resorte apo agrokomplekse, shkojnë në mbi 70 milionë euro. Shkojnë dyfishi i asaj që qeveria bëri për 800 mijë pensionistë”, tha Berisha.

Këto informacione sipas Berishës, janë sipas qytetarit dixhital.

Më pas, Berisha njoftoi se Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane rrëzoi në mënyrë përfundimtare vetingun në Shqipëri.

“Po lexoj paragrafin kushtuar vetingut: Ndërkohë që ky opinion nuk adreson vetingun, Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropiane nuk mund të injorojë këtë çështje në heshtje të plotë. Vetingu nuk duhet të përdoret si një procedurë zëvendësuese e masave disiplinore”, tha ai.

Vetingu, sipas citimit të Berishës, nuk duhet të përdoret për të adresuar korrupsionin sepse përdorimi i tij është vetëm gjueti shtrigash.

“Altin Dumani me tre shtëpi dhe një të ndërtuar nga vjehrri dhe kisha, vazhdon e kryeson Skapin, në një kohë kur një gjykatëse ka dalë nga sistemi për një garsionere të privatizuar nga i ati në vitin 1996”, tha Berisha. “Ky është procesi më i korruptuar që ka njohur ndonjëherë Europa, ky është akti më i turpshëm”, deklaroi ai.

Berisha më pas iu referua një bisede, sipas tij, me dy ambasadorët më të korruptuar në historinë e diplomacisë evropiane dhe botërore, Donald Lu dhe Romana Vlahutin në zyrën e tij.

“Janë marrë vetëm me gjah shtrigash. Prokurores në fjalë nuk pranonin se i ati i ka kthyer rrogën, ndërkohë që Irenës me 5 mbiemra i pranojnë se ish-bashkëshortja e burrit i ka dhënë para hua”, tha Berisha.

Fraksion.com