Vota e Diasporës, mision jo i lehtë, Rama: Vullnet që shkon përtej dasive partiake
Kryeministri Edi Rama, tha sot në fjalën e tij në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, se Shqipëria është ngjitur në pozicione drejtuese në aspektin ndërkombëtar, gati të paimagjinueshme jo shumë vite më parë.
“Të drejtojmë organizata dhe të marrim përsipër misione të nivelit më të lartë ndërkombëtar, nga OSBE, te Këshilli i Sigurimit. Kjo na ka bërë që të jemi një vend që shihemi me simpati kur vjen fjala te organizimi i eventeve ndërkombëtare që deri shumë vite më parë nuk do imagjoninoheshin të ndodhnin në Shqipëri. Pak ditë më parë, në Shqipëri erdhi një mision i NATO-s për të inspektuar kushtet dhe për të dhënë një vlerësim lidhur me sa është e gatshme Shqipëria të mikpresë samitin e NATO-s në vitin 2027 dhe përshtypjet e misionit të inspektimit dhe raporti i tyre është i tillë që do ishte e paimagjinueshme jo shumë vite më parë që ta lexoje dhe jo më të mendoje që po flitej për Shqipërinë”, tha Rama.
Kryeministri Rama në fjalën e tij u ndal edhe te procesi i votës së Diasporës dhe mundësisë që do të kenë shqiptarët jashtë kufijve që të votojnë për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë.
“Vota e Diasporës një tjetër mision jo i lehtë, që është i lidhur me një vullnet që shkon përtej dasive partiake dhe që kërkon një votë më të madhe në numër se ajo e një shumice qeverisëse. Arsyeja për të cilën jemi vonuar për një kohë të gjatë, si rezultat i punës së Këshillit Kombëtar të Diasporës dhe mobilimit të zërave në Diasporë u realizua dhe sot jemi në prag të një procesi zgjedhor ku për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë qytetarët jashtë vendit do munden të ushtrojnë të drejtën e votës pa pasur detyrimin që të udhëtojnë drejt Shqipërisë, thjesht duke përdorur postën nga aty ku banojnë.
Është një sfidë më vete, mbi vështirësitë e këtij procesi dhe nevojën e mobilizimit të të gjithëve për ta ushtruar atë të drejtë sepse nga një proces që herën e parë është kompleks për të realizuar regjistrimin si votues në Diasporë dhe më pas bëhet shumë i thjeshtë nga momenti që personat janë të regjistruar”, u shpreh ai.
Rama tha se ruajtja e identitetit gjuhësor dhe kulturor është një tjetër sfidë e vendit tonë, por edhe në këtë drejtim sipas kryeministrit janë bërë progres.
“Si qytetarë të vetëdijshëm të këtij vendi dhe sistemit institucional më vjen mirë që edhe në këtë aspekt është bërë progres, me hapa kuptimplotë edhe në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës duke filluar nga unifikimi i Abetares, te tekstet shkollore për Diasporën që janë të unifikuara, duke punuar për dixhitalizimin dhe aksesin falas për të gjithë fëmijët dhe mësuesit në Diasporë në programet me teknologji të avancuar deri te shpërndarja e teksteve shkollore.
55 mijë tekste të shpërndarë, janë një shifër jo e vogël nëse do marrim parasysh nga jemi nisur, por nuk janë një shifër e jashtëzakonshme duke parë sa shumë fëmijë ka.
Programi mësues për Shqipërinë në Greqi është një tjetër qasje e nevojës për mësues në komunitetet shqiptare në Diasporë, 20 mijë fëmijë që marrin mësim në kurset e gjuhës shqipe, por ka dhe shumë kurse të tjera që nuk janë të regjistruara dhe nuk kemi marrë dijeni. Ka edhe një regjistër të mësuesve në Diasporë dhe një database për studentët që ka nevojë për rishikim”.
Fraksion.com