AktualitetPolitikëTë fundit

Strategjia Kombëtare e Diasporës, Rama: Shërbime cilësore për shqiptarët jashtë atdheut

Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot se aktualisht ka një strategji kombëtare për diasporën, ndërsa kujtoi se kur mori detyrën kishte një shkretëtirë në marrëdhëniet mes shtetit dhe diasporës.

Kryeministri Rama mori pjesë në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, ku vlerësoi se është hapur një kapitull i ri edhe në marrëdhënien mes Shqipërisë si vend amë dhe diasporës së hershme dhe asaj të re.

“Programi ynë qeverisës i këtij mandati që po shkon drejt përfundimit ka një pjesë të veçantë që i kushtohet diasporës. Një kalim i shpejtë i asaj çka është bërë në bazë të atij programi tregon se është hedhur një bazë mbi të cilën ka shumë akoma për të ndërtuar”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se kur morën detyrën kishte një shkretëtirë në marrëdhëniet mes shtetit dhe diasporës.

“Kjo në aspektin e një ngrehine institucionale që të mundësonte një marrëdhënie të kanalizuar përmes institucioneve në funksion të mbështetjes së shqiptarëve jashtë atdheut, por edhe në funksion të mundësimit të shumë shërbimeve për të cilat ata kanë nevojë dhe të cilave shteti duhet t’i japë cilësinë e nevojshme”, tha Rama.

Kryeministri tha se pikënisja nga ku u ndërmor ky rrugëtim ishte dëshpëruese edhe për faktin e thjeshtë se distanca mes shtetit dhe qytetarëve jashtë vendit ishte shumë e madhe.

“Ne ndërtuam një proces, një strategji dhe sot jemi në kushtet kur funksionojmë me një strategji kombëtare të diasporës. Jemi në kushtet kur kemi koordinator shtetëror për diasporën që ndjekin sektorë dhe fusha të ndryshme. Jemi në kushtet kur kemi një organizim që merr pamjen e vetë më kuptimplotë në këtë tryezë ku diaspora përfaqësohet përmes një Këshilli Kombëtar i cili përbëhet nga një mozaik që mbulon edhe nga pikëpamja territoriale nevojën për të pasur në këtë organ të lartë zërin e komuniteteve të ndryshme sipas shpërndarjes gjeografike të diasporës”, tha Rama.

 

Fraksion.com