Pr/ligji për faljen e gjobave, Bardhi: Nuk ka asnjë vendimmarrje të Këshillit të Ministrave
Kuvendi i Shqipërisë nisi seancën e sotme me diskutime mbi anulimin e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu tha se “keni krijuar artificialisht një furtunë në gotë. Të nderuar kolegë opozitarë na vjen keq, ne atë nismë që kemi diskutuar gjatë me qytetarët sot do ta bëjmë ligj dhe sot ato masa administrative të vendosura në mënyrë jo proporcionale do të anulohen doni apo s’doni ju”.
“Lërini lojërat mënjanë qoftë ato proceduriale, qoftë ato politike nëse keni një fije konsideratë për atë komunitet atje bashkohuni me ne ta miratojmë bashkë”, tha Gogu.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se “nuk ka asnjë ligj të datës 4 dhjetor që i është shpërndarë deputetëve të Shqipërisë, ai projektligj që i është shpërndarë deputetëve është projektligji me propozues deputetin Erion Braçe me datë 5 dhjetor. Edhe sikur të ishte dorëzuar në datën 4 nuk mund të shqyrtohej nga komisionet pa kaluar dy javë nga regjistrimi i tyre. Ky është detyrim nga pika 3 e nenit 69 të rregullores së Kuvendit”.
“Këto afate janë vënë që diskutimi parlamentar të jetë real që secili deputet të ketë mundësinë për të bërë propozimet e veta dhe të paraqesë idetë e veta. Këto afate janë vendosur që deputetët të njihen me iniciativat që ne kemi të kemi mundësi të thërrasim grupet e interesit për t’u marrë mendimin dhe për ta bërë ligjin ashtu siç duhet, një ligj në dobi të interesit publik dhe interesit të qytetarëve shqiptarë”, tha Bardhi.
Duke iu drejtuar kryeparlamentares Spiropali, Bardhi u shpreh se “je në shkelje të kushtetutës është ligj me efekte financiare duhet të ketë mendim të Këshillit të Ministrave është e ndaluar me kushtetutë shqyrtimi i një projektligji joqeveritar me efekte financiare pa pasur mendimin me shkrim me vendim të Këshillit të Ministrave gjë gjë mungon tani që flasim, asnjë prej nesh nuk e ka. Kam konsultuar vendimmarrjet e Këshillit të Ministrave nuk ka asnjë vendim të tillë dhe shkelja e procedurës bën antikushtetuese këtë projektligj.
Fraksion.com