AktualitetBota+Të fundit

“Përdhunuesit janë ata që duhet të kenë turp”: Si u bë Gisèle Pelicot një ikonë në luftën kundër dhunës seksuale

Gisèle Pelicot, 72-vjeçarja viktimë e përdhunimit masiv, gjyqi i së cilës ka tronditur Francën, hoqi dorë nga anonimiteti i saj në një përpjekje për të ndihmuar gratë e tjera dhe për të detyruar një ndryshim në shoqëri.

Ajo i tha gjykatës në tetor se duke e bërë publik gjyqin e saj, do të ndriçonte aktet e tjera të abuzimit.

Duke vepruar kështu, ajo u bë një ikonë në luftën kundër dhunës seksuale.

“Kam vendosur të mos turpërohem – nuk kam bërë asgjë të keqe,” tha Pelicot në gjykatë.

“Ata (përdhunuesit) janë ata që duhet të kenë turp”, tha ajo, duke shtuar se videot e shfaqura gjatë gjyqit, të filmuara nga bashkëshorti i saj, Dominique Pelicot, të disa përdhunimeve të saj, ishte “shumë e vështirë, por e nevojshme”.

“Unë nuk po shpreh inat apo urrejtje, por jam e vendosur që gjërat të ndryshojnë në këtë shoqëri,” tha Gisèle Pelicot.

Në të gjithë Francën janë organizuar protesta për të treguar mbështetje për të, me shumë gra që shprehën admirim për guximin e saj.

“Nuk është guxim. Është vendosmëri për të ndryshuar gjërat”, tha ajo. “Kjo nuk është vetëm beteja ime, por ajo e të gjitha viktimave të përdhunimit.”

 

Fraksion.com