AktualitetPolitikëTë fundit

Këshilli Koordinues, Hasani: Mbi 5 mijë tekste mësimore në diasporë, rreth 20 mijë nxënës mësojnë shqip

Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani u shpreh sot se, në vitin 2024 janë shpërndarë mbi 5 mijë tekste me materiale mësimore në diasporë dhe janë përfshirë rreth 20 mijë nxënës në mësimin e gjuhës shqipe.

Në takimin e e 4-ët vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, Hasani u shpreh se, “ky Këshill ka për qëllim të trajtojë dhe përcaktojë hapat e ardhshëm në hartimin e politikave konkrete dhe realiste për ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor, por  dhe traditave kombëtare.

Po ashtu, shtoi Hasani, “ky takim synon të nxisë vlerat që afirmojnë jo vetëm identitetin kombëtar, por edhe frymën evropiane të shqiptarëve.

“Përtej reflektimit për vitin 2024 dhe progresit të arritur në fushat e kulturës, diplomacisë dhe ekonomisë, ky është një moment i mirë për të përcaktuar një rrugë të qëndrueshme për vitin e ardhshëm, duke forcuar më tej politikën për diasporën dhe integrimin e saj në shoqërinë shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Kjo është një mundësi që do të sigurojë rritjen dhe integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare për të kontribuojë në zhvillimin e përbashkët”, tha Hasani.

Ministri shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe punën e palodhur të të gjithë atyre që janë angazhuar në strukturat e punës për diasporën.

“Padyshim, duke nisur nga Këshilli Koordinues i Diasporës , pasi ju na  ofroni mbështetje të çmuar për bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë Shqipërisë”, tha ai, duke nënvizuar se, “diaspora është ndoshta pjesa më e rëndësishme kombit tonë dhe çështja kombëtare kërkon angazhim dhe bashkëpunim të gjerë nga të gjitha strukturat e shoqërisë”.

Ministri u shpreh se, në vitin 2024 është bërë përparim i dukshëm në mbështetje të gjuhës shqipe në diasporë.

“Përpjekjet për të mbajtur gjallë gjuhën dhe traditat tona janë të rëndësishme, dhe është e nevojshme që të ofrojmë mundësi edhe për rininë që të rritet me njohuri të thella për trashëgiminë e saj. Në vitin 2024, me ministren e Arsimit kemi bërë përparim të dukshëm në mbështetje të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Kemi shpërndarë 5000 tekste dhe materiale mësimore dhe kemi përfshirë rreth 20,000 nxënës në mësimin e gjuhës shqipe, një angazhim që ka ndihmuar në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar dhe forcimin e lidhjeve me vendlindjen”, tha Hasani.

“Të gjithë  kemi një mision të përbashkët, një detyrë që na lidh si komb: të ruajmë dhe të mbajmë gjallë rrënjët, identitetin kombëtar, gjuhën, traditat e çdo treve shqiptare dhe t’i kalojmë ato brez pas brezi. Përpjekjet tuaja në këtë drejtim janë të çmuara, dhe kjo është arsyeja pse ne krenohemi për arritjet dhe progresin e vazhdueshëm të diasporës. Ju keni qenë një zë i fuqishëm në shërbim të interesave kombëtare dhe keni punuar pa u lodhur për të angazhuar një spektër sa më të gjerë të përfaqësuesve të diasporës, duke identifikuar problematikat dhe duke punuar për t’i zgjidhur ato. Po ashtu, keni kontribuar në hartimin e strategjive për marrëdhënien me diasporën. Përvoja juaj, këndvështrimi dhe angazhimi juaj në zhvillimet politike, kulturore, ekonomike dhe sociale janë një vlerë e shtuar për punën dhe rrugëtimet tona të përbashkëta”, shtoi Hasani.

Kryediplomati shqiptar gjithashtu theksoi se, “diaspora ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm përmes dërgesave, të cilat janë një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Emigrantët shqiptarë sollën 772 milionë euro për të afërmit e tyre vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, duke kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës për shumë familje shqiptare. Megjithatë, ka mundësi që këto dërgesa të shfrytëzohen edhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit, duke krijuar mundësi investimi në sektorë strategjikë”.

Ne, theksoi më tej Hasani, “do të vijojmë të punojmë ngushtësisht me shoqatat e shqiptarëve dhe të sigurojmë që aktivitetet e diasporës të mbështeten plotësisht nga institucionet qeveritare”.

“Ambasadat dhe konsullatat shqiptare, si dhe misionet diplomatike, do të vazhdojnë të ofrojnë asistencën e nevojshme për koordinimin e aktiviteteve, organizimin e ngjarjeve dhe promovimin e kulturës, por dhe interesave të Shqipërisë. Puna jonë do të fokusohet në tri drejtime kryesore: forcimin e lidhjeve me komunitetet shqiptare, lehtësimin e procesit të pajisjes me dokumentacion për shtetasit shqiptarë jashtë vendit, dhe angazhimin për të nxitur investimet nga diaspora, duke krijuar mundësi për rritjen e biznesit dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, u shpreh ai.

Hasani shprehu bindjen se, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Këshillit Koordinues të Diasporës, mund të gjenerohen rezultate të rëndësishme dhe të realizohen qëllimet e përbashkëta.

“Bashkëpunimi me Kosovën dhe padyshim me të gjithë përfaqësuesit shqiptar në rajon, do të vazhdojë të jetë prioritet për të adresuar çështje të rëndësishme dhe për të siguruar mbështetje për projektet që kanë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo aleancë natyrale në rajon është e rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve në Ballkan dhe për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme të gjithë sëbashku”, tha Hasani.

“Një mundësi e re, modeste, për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht për ata që punojnë në organizatat ndërkombëtare, do të vijë së shpejti me ndryshimet e propozuara në ligjin për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Ky ligj i ri do t’i japë mundësinë atyre të aplikojnë të bëhen pjesë e shërbimit të jashtëm , duke kontribuar me përvojën e tyre profesionale dhe njohuritë ndërkombëtare në përfaqësimin e interesave të Shqipërisë. Ky hap është një mundësi e mirë për të angazhuar ekspertizën shqiptare në nivele të larta, duke përfshirë diasporën në zhvillimin dhe avancimin e politikave të jashtme të vendit”, u shpreh Hasani.

Gjatë vitit 2024, nënvizoi Hasani, “Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke hapur grupe të reja negociatash. Në tetor, u hapën grup-kapitujt e parë të negociatave për themeloret, një hap kyç drejt anëtarësimit, dhe pardje, Shqipëria ka bërë një hap tjetër të rëndësishëm, duke avancuar më shumë në marrëdhëniet me jashtë. Këto arritje pasqyrojnë angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e Bashkimit Evropian, për të kontribuar në paqen dhe zhvillimin e rajonit, por mbi të gjitha për të krijuar një mjedis të shëndetshëm për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve”.

Megjithatë, shtoi ministri, “përtej faktit, shifrave dhe statistikave, progresi i Shqipërisë në këtë drejtim do të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse ndërtojmë një strukturë të fortë dhe efikase edhe për diasporën, e cila duhet të jetë një forcë aktive dhe e përfshirë në zhvillimin e politikave të vendit. Ky angazhim kërkon një shpirt krijues dhe një frymë bashkëkohore, që do t’i japë substancë dhe jetë këtij procesi. Pa këtë, struktura e diasporës mund të mbetet e pafrytshme, si një enë e zbrazët, e cila nuk mund të realizojë projekte të mëdha dhe të rëndësishme”.

Po ashtu, vijoi Hasani, “komunikimi ynë me diasporën dhe me botën duhet të shmangë euforizmin dhe retorikën dhe të fokusohet në veprime konkrete dhe të prekshme që mund të sjellin rezultate të qëndrueshme”.

Hasnai theksoi se ky takim i përvitshëm me Këshillin Koordinues të Diasporës është një mundësi e çmuar për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin mes diasporës dhe institucioneve shtetërore, duke siguruar që shqiptarët kudo që ndodhen të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë.

“Kjo është një detyrë që kërkon angazhim të përbashkët të vazhdueshëm, dhe është e domosdoshme që të vazhdojmë këtë proces me përkushtim dhe durim, për të realizuar një të ardhme sa më të mirë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh ku ndodhen”, përfundoi ministri Hasani.