AktualitetPolitikëTë fundit

Hoxha: Pjesëmarrja e diasporës në proceset zgjedhore, realitet në 11 maj

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ftoi sot bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të zgjedhësve në mënyrë që të mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Në fjalën e tij në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, Hoxha tha se, “projekti i madh, përmes të cilit po i japim zë të fuqishëm një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë sonë – përfshirjes dhe pjesëmarrjes së diasporës shqiptare në proceset tona zgjedhore, – po merr jetë dhe po bëhet realitet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025”.

Ne, theksoi ministri Hoxha, “e shohim dhe vlerësojmë diasporën shqiptare, si komunitetin që ka mbajtur gjithmonë të gjallë lidhjet me atdheun përmes punës, traditave dhe vlerave të saj. Ajo është pjesë thelbësore dhe vitale e kombit”.

Ndaj, Hoxha vlerësoi se, rëndësia e votës së diasporës nuk matet vetëm në numra, por në ndikimin që ka për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë, më të drejtë dhe më përfaqësuese.

“Kjo votë do të jetë një tjetër urë që lidh eksperiencat, idetë dhe shpresat për një të ardhme më të mirë, me përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një shoqëri ku secili ndihet më i përfaqësuar”, tha ai.

Për të siguruar suksesin e këtij procesi, Hoxha u shpreh se është parë si thelbësor bashkërendimi mes institucioneve kyçe, si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGjC) dhe IdentiTek në Ministrinë e Brendshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

“Përdorimi i Platformës Elektronike të Regjistrimit për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave është një risi që garanton transparencë dhe saktësi. Por ndërkohë kemi ndërmarrë lehtësim të procedurave për dokumentet e identifikimit – prej 25 tetorit 2024, është bërë e mundur ndarja e aplikimeve për pasaportë dhe ID kartë, duke ulur kohën dhe koston për qytetarët”, tha ai.

Nga ana tjetër, shtoi Hoxha, po punohet për të përmirësuar shërbimet.

“Ambasadat dhe konsullatat, në qendrat me fluks të lartë, si Athinë, Mynih, Milano dhe Londër, tashmë janë pajisur me kapacitete të reja për të përballuar kërkesat, në bashkëpunim me kompaninë prodhuese të dokumenteve të identifikimit, IdentiTek”, tha Hoxha.

Hoxha theksoi se, për herë të parë, listat e zgjedhësve do të përfshijnë dy kategori: ata brenda vendit dhe zgjedhësit jashtë tij.

“Ky hap do të shoqërohet me përmirësime rrënjësore teknike dhe procedurale në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, duke siguruar që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në procesin zgjedhor”, u shpreh ministri i Brendshëm.

“Procesi i regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë do të nisë në 11 janar 2025 dhe do të zgjasë deri më 12 mars 2025. Një fushatë intensive sensibilizimi do të nisë së shpejti për të informuar qytetarët tanë jashtë e brenda vendit mbi procesin dhe dokumentet e vlefshme për të ushtruar të drejtën e tyre të votës”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha ftoi çdo bashkatdhetar që jeton jashtë vendit të jetë bashkëpunues në këtë proces kyç, i cili garanton të drejtën e votës.

Hoxha ritheksoi se, “përfshirja e diasporës në zgjedhjet parlamentare është një akt që forcon lidhjet tona kombëtare, promovon gjithë-përfshirjen dhe reflekton përkushtimin tonë për të ndërtuar një të ardhme ku çdo shqiptar, kudo që ndodhet, të ndihet pjesë e vendimeve që ndërtojnë të ardhmen e vendit tonë”.

 

Fraksion.com