Gonzato: SPAK sinonim i suksesit, anëtarësimi i plotë në BE do të varet nga Drejtësia
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato ishte i pranishëm sot në aktivitetin e 5-vjetorit të krijimit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në fjalën e tij, Gonzato tha se ishte Reforma në Drejtësi, elementi që solli fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Kjo javë ka qenë e mirë, filloi me hapjen e grup-kapitullit të gjashtë të negociatave, i ndjekur nga samiti BE-Ballkani Perëndimor, ndërkohë që sot festojmë një element kaq të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi, që bëri të mundur fillimin e negociatave. Shumë prej jush keni qenë që prej fillimeve, hapat e para që ka bërë SPAK në 2019. Jemi përballur me një shtet që ka luftuar me një kult mosndëshkueshmërie dhe një histori që politika ka me ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Ne u kemi mbështetur që prej ditës së parë dhe ta bëjmë edhe në të ardhmen. Shohim arritjet deri më tani. Në aspektin organizativ SPAK ka krijuar një strukturë solide që në mënyrë efikase mund të mbështesë të gjithë elementët e mandatit të vet. Nga aspektin funksional, SPAK ka ofruar rezultate të mira në disa çështje të profilit të lartë, ka rikuperuar miliona euro të pasurive të individëve të përfituara përmes korrupsionit”, tha Gonzato.
Ambasadori Gonzato theksoi se BE është e ka mbështetur rolin dhe aktivitetin e SPAK që prej ditës së parë dhe të do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen. “Sot është një ditë për të festuar, por edhe për të parë se si SPAK ka ndërtuar një strukturë solide për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit në nivele të larta. Nga aspekti operacional SPAK ka ofruar rezultate të mira në disa çështje të profilit të lartë, ka rikuperuar miliona euro falë edhe përfshirjes në hetime të strukturave si Europol, Euro Just, Olaf dhe ekipe të përbashkëta hetimore që kanë ndihmuar për të goditur grupe kriminale të organizuara”, tha ai.
Gonzato shtoi se “SPAK është sinonim i suksesit në Shqipëri dhe kjo është diçka e njohur edhe nga qytetarët shqiptarë që besojnë se SPAK është institucioni më i besuar në Shqipëri. Duhet të jeni krenarë për kaq shumë sa keni arritur në një kohë të shkurtër. Por, nuk duhet të flemë mbi dafina. Anëtarësimi i plotë në BE i Shqipërisë do të varet nga hetimet, ndjekjet penale dhe pasuritë e konfiskuara që janë vënë në mënyrë të paligjshme. Emërimi i zëvendësdrejtorit të BKH-së është një tjetër detaj që përmbush kërkesën ligjore sipas SPAK, por që hap rrugën edhe për krijimin e zyrës së policisë hetimore”.
“Rritja e efikasitetit të hetimeve financiare duke rritur bashkëpunimin me sektorin privat, bankat, agjencitë e ndryshme nëpërmjet të cilave blihen pasuritë e paluajtshme për të pikasur transaksionet e dyshimta për financimin e terrorizmit janë një tjetër qasje e rëndësishme në fushën e drejtësisë”, vijoi Gonzato.
“SPAK nuk është dhe nuk duhet të jetë institucioni i vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky ripërforcim i punës që është bërë do të sjellë edhe më shumë besimin e publikut te sundimi i ligjit. Është përgjegjësi e të gjitha institucioneve”, përfundoi Gonzato.
Fraksion.com