AktualitetPolitikëTë fundit

“Të kthehen dhe shumat e paguara”, PD amendamente në projektligjin për anulimin e gjobave

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike propozoi sot disa ndryshime në projektligjin e propozuar nga PS për anulimin e masave administrative të paekzekutuara, të vendosura nga 1 janari 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale, sa i takon masave të vendosura nga Inspektoratet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoratit Qendror të Mbrojtjes se Territorit, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në shkresën e firmosur nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi propozohet që të anulohen të gjitha masat administrative të vendosura në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, që është shfuqizuar si papajtueshme me Kushtetutën që nga data e hyrjes së ligjit në fuqi e deri në momentin e shfuqizimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

Po ashtu, propozohet që të anulohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.

“Të anulohen të gjitha masat administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë; Të anulohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës”, thuhet në propozim.

Gjithashtu, Grupi Parlamentar i PD argumenton që në kuadër të parimit të barazisë përpara ligjit të gjithë personave fizikë dhe juridikë që do të ishin subjekt përfitues sipas ligjit nëse nuk do të kishin kryer ekzekutimin e masave administrative përpara hyrjes në fuqi të tij, në bazë të parimit iu kthehen shumat e paguara dhe kthimi i shumave të bëhet nga institucionet e ngarkuara me zbatimin e këtij ligji brenda datës 31 janar 2025.

Projektligji u miratua dje në komisionet e Kuvendit për t’u votuar nesër në seancë plenare ku janë adresuar edhe propozimet e PD-së.

 

Fraksion.com