Rama takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s: Mark Rutte, mbështetës i paepur i Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në selinë qendrore të aleancës në Bruksel.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e konsideron Rutten si një mik të veçantë dhe mbështetës të paepur të Shqipërisë.
Mark Rutte u zgjodh të drejtojë NATO-n pasi shërbeu si kryeministër i Holandës, ndërsa pasoi në këtë detyrë Jens Stoltenberg.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një fotoalbum me disa nga momentet më të veçanta nga takimet zyrtare dje në Bruksel dhe me misionin e Shqipërisë në NATO.
Kryeministri e konsideron ditën e djeshme një “ditë krenarie të marshimit drejt objektivit historik të anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030”.
Ditën e djeshme u zhvillua konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE ku u hap grup-kapitulli 6 i negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Pas konferencës, Rama zhvilloi konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel me Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme të Hungarisë, vend që mban Presidencën e Këshillit të BE-së, dhe Marta Kos, Komisionere për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një takim në selinë e NATO-s në Bruksel, me ekipin ushtarak dhe civil të Misionit të Shqipërisë, si edhe me shqiptarët që punojnë në zyrat qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Fraksion.com