Rama në Misionin e Shqipërisë në NATO: Këtu nuk vihet me vonesë në punë, atdheu jonë nuk të lë të zgjohesh herët në mëngjes
Kryeministri Edi Rama pasditen e së martës është takuar me stafin ushtarak dhe civil të Shqipërisë që janë të angazhuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në fjalën e tij gjatë takimit, Rama tha se, stafi ushtarak dhe civil i Shqipërisë në NATO kanë privilegjin të punojnë në ambasadën më të madhe që ka Republika e Shqipërisë jashtë, për nga pikëpamja e hapësirës.
“Misionit këtu në NATO, i them që sa herë hyni dhe dilni në zyrat ku unë sapo hyra, mos e harroni që keni privilegjin të jeni jo thjesht në këtë qendër globale të sigurisë, por edhe të punoni përditë në ambasadën më të madhe që ka Republika e Shqipërisë jashtë, për nga pikëpamje e hapësirës, madje, madje, meqë jemi këtu mes nesh, ta themi deri në fund, më erdhi mirë në mënyrë paksa si shumë shqiptare, kur pashë finlandezët edhe suedezët që ishin futur në një si cep këtu në kat të parë, midis farmacisë dhe dyqanit të fruta-perimeve, siç do të kishim qenë ne në rast se do ta rendisnim vendndodhjen në godinë në bazë të disa kritereve të tjera, por, suedezët dhe finlandezët aty në cep në kat të parë, ne në kat të fundit, edhe gjenerali zyrën me pamje nga deti, këto mund të jenë gjëra të dorës së dytë, por në fakt bëhen gjëra të dorës së parë kur mungojnë, kështu që mos e harroni këtë gjë. Edhe uroj shumë që këtë fundviti ta keni sa më të qetë, sa më të gëzuar, por që të jem shumë i sinqertë me ju, nuk ua kam zili fare këtë qiellin pa diell”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u tha se ata janë të mirëpritur në Shqipëri.
“Ju uroj çdo të mirë që ju do zemra! Ju uroj shumë shëndet në familjet tuaja! Mos e merrni për të mirëqenë, shëndetit ia di ai që nuk e ka, por për sa kohë e keni, ta keni përgjithmonë për të gjithë të afërmit tuaj, edhe mirë se të vini, kur t’ju dëshiroj zemra në atdhe. Po mos harroni që këtu nuk vihet me vonesë në punë, kështu që atdheu jonë e ka këtë që të mban vonë natën dhe nuk të lë të zgjohesh herët në mëngjes. Ndërkohë që këtu është e kundërta, këtu të çon vendi me fjet herët dhe të del gjumi, edhe thua: Po si qenka akoma natë, në fakt është mëngjes, se sot kur erdhën më morën për të më çuar tek hapja kapitujve të tjerë ishte natë komplet, por në fakt ishte mëngjes. Edhe pastaj i thashë, çfarë faj kanë këta që na binë në qafë ne kaq shumë kur këta i bie të na takojnë në pikë të sabahut dhe s’ka dalë akoma dielli dhe shohin shqiptarët edhe thonë, po ik. Por në fakt janë bërë të mirë me ne, janë bërë shumë të mirë me ne, se i kemi zbutur, domethënë kemi marrë edhe ne ca nga ato talentet e Tahir Baçovës”, përfundon Rama.
Fraksion.com