AktualitetBota+Të fundit

Vritet një gjeneral rus në Moskë

Një gjeneral i lartë rus u vra të martën nga një bombë e fshehur në një skuter jashtë ndërtesës ku banonte në Moskë, një ditë pasi Agjencia ukrainase e sigurisë ngriti akuza penale kundër tij. Një zyrtar ukrainas tha se shërbimi i sigurisë së vendit të tij qëndron pas sulmit.

Gjenerallejtënant Igor Kirillov, shefi i forcave të mbrojtjes bërthamore, biologjike dhe kimike të ushtrisë, u vra ndërsa u nis për në zyrën e tij. Ndihmësi i Kirillovit gjithashtu vdiq nga pasojat e shpërthimit që u krye nga distanca.

Igor Kirillov ishte nën sanksione nga disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, për veprimet e tij në luftën e Moskës në Ukrainë. Të hënën, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, ose SBU, hapi një hetim penal kundër tij, duke e akuzuar atë për përdorimin e armëve kimike të ndaluara.

Një zyrtar i SBU-së tha se agjencia qëndron pas sulmit. Zyrtari, i cili foli me kusht që të mos i përmendet emri, e përshkroi Kirillovin si një “kriminel lufte dhe një shënjestër plotësisht të ligjshme”.

SBU-ja ka thënë se ka regjistruar më shumë se 4,800 raste kur Rusia përdori armë kimike që nga agresioni i saj në shkurt të vitit 2022. Në muajin maj, Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë se kishte regjistruar përdorimin e kloropicrinës, një gaz helmues që u përdor për herë të parë në Luftën e Parë Botërore, kundër trupave ukrainase.

Rusia ka mohuar përdorimin e ndonjë arme kimike në Ukrainë dhe ka akuzuar Kievin për përdorimin e agjentëve toksikë në luftime.

Kirillovi, i cili mori detyrën e tij në vitin 2017 mbajti konferenca të shumta për të akuzuar ushtrinë ukrainase për përdorimin e agjentëve toksikë dhe planifikimin e sulmeve me substanca radioaktive, pretendime që Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i hodhën poshtë si propagandë.

Që kur Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë, disa personalitete të shquara janë vrarë në sulme të planifikuara.

Darya Dugina, një komentatore në kanalet televizive ruse dhe e bija e ideologut nacionalist të lidhur me Kremlinin, Aleksandër Dugin, vdiq nga pasojat e një shpërthimi në vitin 2022, që hetuesit dyshuan se synonte të atin.

Vladlen Tatarsky, një bloger ushtarak vdiq në prill të vitit 2023, kur një statujë që iu dha në një festë në Shën Petersburg, shpërtheu. Një grua ruse, e cila tha se i dha statujën me urdhër të një kontakti në Ukrainë, u arrestua dhe u dënua me 27 vjet heqje lirie.

Në dhjetor të vitit 2023, Illia Kiva, një ish-deputet ukrainas pro rus i cili u arratis në Rusi, u qëllua dhe u vra në afërsi të Moskës. Shërbimi ushtarak ukrainas i zbulimit përgëzoi vrasjen duke paralajmëruar se “tradhtarët e tjerë të Ukrainës” do të kenë të njëjtin fat.

Më 9 dhjetor, një pajisje shpërthyese u vendos nën një makinë në qytetin ukrainas të Donetskut të pushtuar nga Rusia, që thuhet se kishte në shënjestër Sergei Yevsyukovin, ish shefin e burgut Olenivka, ku dhjetëra të burgosur lufte ukrainas vdiqën në një sulm me raketa në korrik të vitit 2022. Një tjetër u plagos nga shpërthimi. Autoritetet ruse thanë se arrestuan një të dyshuar për sulmin./VOA

 

Fraksion.com