Spiropali: Akses i barabartë në burimet financiare të zhvillimit për gratë dhe vajzat
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përshëndeti sot në tryezën “Fuqizimi i Grave në Politikë: Sfidat, barrierat dhe zgjidhjet për Aksesin e Barabartë në Financat Politike dhe Dhunën me Bazë Gjinore në Politikë”, organizuar me nismën e Ambasadës Britanike dhe të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në këtë tryezë morën pjesë deputete të Kuvendit, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nick Abbott, kryetari i Prezencës së OSBE-së, Michel Tarran, ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, dhe përfaqësues e aktivistë të shoqërisë civile për barazinë gjinore.
Në fjalën e saj, Spiropali nënvizoi se, “Financat Publike e Përfshirja Gjinore dhe Dhuna me Bazë Gjinore në Politikë, janë të ndërlidhura në mënyrë sinergjike. Si përfshirja gjinore, ashtu edhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore, nuk mund të trajtohen në mënyrë substanciale nëse nuk plotësohen nga aksesi i barabartë në burimet financiare të zhvillimit”.
Kështu, për shembull, siç tregojnë studimet, shtoi Spiropali, “gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, vetëm rreth 13 për qind e kandidateve gra pranuan se kishin akses në financat e partive të tyre”.
“Pabarazia në akses nuk ndodh vetëm me burimet financiare, por edhe ato njerëzore. Prandaj e gjej shumë me vend propozimin që 10 për qind e financimeve publike vjetore për partitë politike të shkojnë direkt për forumet e grave”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh se, “jeta politike e parlamentare, nuk është fushë me lule për vajzat dhe gratë. Ky perceptim, natyrisht, ushqehet nga realitete të caktuara”.
“E para është gjuha. Dhuna me bazë gjinore në politikë është një formë specifike e dhunës që synon të pengojë, frikësojë dhe të përjashtojë gratë nga angazhimi publik, ku spikat dhuna verbale dhe digjitale. Fyerjet seksiste dhe denigruese janë gjithmonë armë e lehtë në gojët apo tastierat e atyre që nuk kanë argumente. Gratë sulmohen disa herë më fort dhe më shëmtuar në jetën publike, politike, parlamentare apo digjitale duke krijuar një barrierë frike për gratë apo vajzat që kërkojnë të përfshihen në politikë”, tha ajo.
Por në fakt, shtoi kryeparlamentarja, “ky perceptim plotësohet e jetërsohet edhe pengesa, veprime, pse jo edhe intriga, kërcënime, aleanca të pista dhe regresive, që i bashkojnë qëllimet dhe interesat e mbrapshta e antishoqërore”.
Spiropali nënvizoi se, “gratë dhe vajzat janë më shumë të ekspozuara ndaj rreziqeve të ekspozimit publik përmes teknologjisë, sepse portalet dhe platformat online, ku kontrolli shoqëror, ligjor dhe moral është minimal apo mungon tërësisht, mbushen me helmin e gjuhës dhe dhunës seksiste që derdhet mbi gratë dhe vajzat që guxojnë, për t’i zmbrapsur në kurajën dhe vendosmërinë e tyre”.
“Përse ndodh kjo? Prej frikës dhe panikut që shkakton energjia dhe pasioni i tyre për të ndryshuar veten, burrat dhe shoqërinë. Por lajmi i mirë është se ky mur pengesash, dalëngadalë po thërrmohet e thyhet”, tha Spiropali.
“Duhet thënë me zë të plotë se Shqipëria ia ka dalë të ngrihet mbi traditat negative të brezave të kaluar dhe të krijojë tashmë një traditë të konsoliduar të përfaqësimit të drejtë gjinor në vendimmarrje. Me një vizion të qartë dhe me një mbështetje shoqërore që ka surprizuar shumëkënd nga partnerët tanë, në disa aspekte të barazisë gjinore, sidomos pjesëmarrjen e grave e vajzave në politikë, kemi arritur ta bëjmë Shqipërinë kampione”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.
“Përmirësimi i përfaqësimit të grave në parlament është rezultat i përpjekjeve për të zbatuar kuotat gjinore dhe promovuar barazinë gjinore në politikë, por edhe i faktit të thjeshtë se në të gjitha vlerësimet e raportet gratë rezultojnë deputete më të angazhuara, më pjesëmarrëse, më cilësore”, tha Spiropali.
Megjithatë, shtoi Spiropali, ende mbetet punë për të arritur një përfaqësim të barabartë dhe për të siguruar që gratë të kenë një rol të rëndësishëm në vendimmarrje.
Kryeparlamentarja shprehu bindjen se, në zgjedhjet e ardhshme do të realizohet objektivi i Kuvendit të Shqipërisë që 40 për qind e deputetëve të jenë gra e vajza.
“Për të arritur barazinë e plotë gjinore, kërkohet jo vetëm respektimi i kuotave, por edhe një angazhim i përgjithshëm për të krijuar një mjedis politik që mbështet dhe promovon pjesëmarrjen e grave në nivele të ndryshme të vendimmarrjes”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit rikujtoi se, fuqizimi i grave në politikë kërkon një qasje të gjithanshme që përfshin ndryshime institucionale, ligjore, kulturore dhe psikologjike.
“Rritja e përfaqësimit të grave nuk është vetëm një çështje e barazisë gjinore, por edhe një mënyrë për të garantuar vendimmarrje më gjithëpërfshirëse e të drejtë për gjithë shoqërinë. Është kusht për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më solidare, më të paqtë. Është një faktor jo thjesht dhe vetëm i emancipimit të grave, por të shoqërisë”, tha ajo.
“Vetëm se duket të mbajmë parasysh se sa më lart të ngjitemi, aq më e fortë do të bëhet rezistenca dhe aq më e ashpër dhuna kundër nesh. Kjo nuk duhet të jetë një arsye për t’u tërhequr, por një motiv më shumë për të parë dhe për të ecur vetëm përpara”, u shpreh Spiropali.
Fraksion.com