AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Bruksel: Synojmë mbylljen e negociatave në 2027-ën, anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Bruksel se ambicia e Shqipërisë është mbyllja e negociatave me Bashkimin Europian në vitin 2027 dhe anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel me Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme të Hungarisë, vend që mban Presidencën e Këshillit të BE-së, dhe Marta Kos, Komisionere për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Rama u shpreh se “Shqipëria do të sigurohet që i kemi bërë detyrat.

“Ambicia jonë nuk është sekret. Ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027, me shpresë që anëtarësimi ynë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade. Është shumë ambicioze, por ne e kemi ndarë këtë së bashku jo vetëm me presidencën hungareze por pikë së pari me Komisionin që na ka mbështetur gjatë të gjitha presidencave dhe kemi punuar. Parimi në bazë të meritave për ne është shumë i rëndësishëm se do të na ndihmojë të bëjmë detyrat tona të shtëpisë aq mirë sa të jetë e mundur”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se shpejtësia e procesit të negociatave duket e pandalshme.

“Komisionerja Kos ka filluar me këmbën më të mbarë të mundur, sepse nuk ka ende një muaj në mandatin e saj dhe tashmë ka dëshmuar dy hapa të mëdhenj përpara për vendet e Ballkanit Perëndimor. Jemi gati dy muaj pas hapjes së negociatave, me këtë shpejtësi që duket e pandalshme dhe mund të them se të gjitha që po ndodhin janë pikë së pari falë presidencës hungareze dhe energjisë së pabesueshme hungareze të ministrit të Jashtëm vetë për ta bërë sa më të qartë këtë ambicie për mbështetjen e zgjerimit të BE-së dhe të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së”, tha Rama.

Po ashtu kryeministri vlerësoi se e gjitha kjo nuk kishte si të ndodhte pa mbështetjen e plotë të shteteve anëtare.

“Sot ne kemi një pamje të plotësuar dhe më të qartë për punën që është bërë dhe gjithashtu e marrim si një inkurajim real, që ne kemi shumë punë përpara. Falënderime të veçanta për skuadrën e Komisionit Europian, e cila na tregon dhe na mëson se si të mbijetojmë dhe të mbijetojmë me një buzëqeshje të madhe ndaj përqasjes neurotike të BE-së”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky nuk është një proces i lehtë, ndërsa shtoi se “për ne është e qartë dhe jemi të ndërgjegjshëm që Europa nuk është e bashkuar vetëm nga gjeografia, por nga vlerat, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe siguria e përbashkët”.

“Nuk ka dyshim në mendjen tonë se një Europë me Ballkanin Perëndimor do të jetë më e fortë dhe më e bashkuar dhe do të jetë më e sigurt. Është e rëndësishme që jemi në mes të Europës. Është një bekim që vendet që kanë pasur histori si e jona dhe që jetojnë në kontinente të tjera, që duan të bëhen demokraci dhe ekonomoi tregu e hapur, nuk munden. Prandaj ata kanë shumë më tepër vështirësi për t’ja arritur, ndërsa ne e kemi. Ky kapitull i dijes dhe të një shteti që funksionon ashtu si një shtet anëtar i BE-së se si të ndërtojë institucione, të reformojë të gjithë sektorët, e të krijojë kushtet për ndarjen e pushteteve. Është një dhuratë për ne që jetojmë në mes të Europës që ne ta shohim të ardhmen në BE. Ndaj ne duam të bëjmë sa më mirë të jetë e mundur”, tha Rama.

 

Fraksion.com