AktualitetPolitikëTë fundit

Pr.ligji për anulimin e masave administrative, Sula: Përkon përpara zgjedhjeve

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula vlerësoi sot nismën e deputetit socialist Erion Braçe për anulimin e masave administrative, por shprehu rezerva ndaj këtij projektligji.

Në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku po diskutohet projektligji “Për anulimin e masave administrative”, Sula vlerësoi nismën e Braçes, por shprehu rezerva sa i takon kohës kur propozohet.

“Përkon përpara zgjedhjeve të vitit 2025 dhe është totalisht një qasje ndryshe ashtu siç bëri Kryeministri sa i përket bonusit për pensionistët në fund të vitit, që është tjetër gjë, por premtoi vetë që në mars-prill të vitit tjetër do të japë përsëri bonus”, tha Sula.

Sula pyeti se, “pse nuk u bë falja e kateve të ndërtimeve pa leje, të kullave të Tiranës dhe kujtdo në bregdet apo ku ishin në vende të tjera me ligj, por u bë me VKM nga qeveria juaj dhe për të gjithë bashkëfshatarët tanë kërkohet që të bëhet me ligj dhe nuk u thjeshtua që të bëhej me një VKM siç e bëri qeveria për oligarkët, për ndërtuesit me kulla këtu në Tiranë, ngjitur me parlamentin, ngjitur me ministrinë, ngjitur me liqenin?”.

“Kur ka interes qeveria për klientët e tyre sigurisht e bën në mënyrë të shpejtë me VKM antikushtetuese dhe kur ju, unë dhe gjithë ne deputetët që i përkasim atyre njerëzve atje që i dimë hallet e tyre përditë ndjekim një rrugë më të gjatë, më të ndërlikuar më të debatueshme për këto persona, këto subjekte, të cilat janë viktimë realisht të këtij sistemi të ndërtuar këtu në Shqipëri”, tha Sula.

“Sa është numri i subjekteve në gjithë Shqipërinë të cilët nuk kanë shlyer këto gjoba administrative, sepse ju thoni që përgjatë vitit 2022 ka 1492 gjoba administrative, por në relacion nuk jepet shpjegim dhe nuk kemi informacion që nga këto 1492 gjoba a janë të shlyera të gjitha apo një pjesë e tyre ose sa është numri se kjo duhet nga viti 2014 deri në nëntor të vitit 2024”, tha Sula.

 

Fraksion.com