“Penguan drejtësinë”, Prokuroria në Hagë: Haxhi Shala e Sabit Januzi pranoi se frikësuan një dëshmitar
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar të martën se ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengimin e drejtësisë, në marrëveshje për pranimin e fajësisë me këtë zyrë.
“Të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.
Në një reagim lidhur me marrëveshjet, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka deklaruar se “arritja e zyrës sonë për t’i përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë”.
Dhomat e Specializuara, po ashtu, konfirmuan këto dy marrëveshje për pranimin e fajësisë, ku “secila bazohet në ‘faktet e pranuara’, me çka të akuzuarit pranojnë se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta.
jyqi ndaj Shalës dhe Januzit, së bashku me Ismet Bahtijarin, ishte planifikuar të hapej më 14 nëntor 2024. Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan më 5 tetor në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).
Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Prokuroria në Hagë e ka ngarkuar Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.
Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.
Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.
Prokuroria, në dhjetor të vitit të kaluar, kishte propozuar që çështja Januzi dhe Bahtijari të bashkohej me çështjen Shala në një gjykim të vetëm.
Më 15 dhjetor 2023, Shala ishte deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë.
Fraksion.com