Publikoi videon e Parashqevi Simakut, gruaja tregon gjendjen e artistes së madhe shqiptare
Elvira Tata, një emigrante shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndarë me ndjekësit e saj në “Instagram” një moment emocionues nga takimi me këngëtaren legjendare Parashqevi Simaku. Tata publikoi një video dhe disa fotografi me artisten, duke treguar se Simaku gëzon shëndet të mirë, por ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike.
“Sot takova Parashqevinë, të bukur si gjithnjë, me shkëlqim në fytyrë dhe buzëqeshje plot dritë e jetë. Ajo ishte në gjendje vërtet të varfër, por me një dinjitet të fortë dhe plot vitalitet,” u shpreh Tata.
Në postimin e saj, Elvira ndau edhe mirënjohjen për mundësinë e këtij takimi, duke theksuar inteligjencën dhe dritën që artistja ende përcjell.
Ky lajm ka prekur zemrat e publikut, duke risjellë vëmendjen tek një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, e cila prej vitesh jeton në SHBA, larg skenës. Ndjekësit dhe adhuruesit e Parashqevi Simakut kanë shprehur mbështetjen dhe dashurinë e tyre për artisten që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën muzikore shqiptare.
Fraksion.com