AktualitetNATO/BETë fundit

Kaja Kallas kritikon kancelarin Scholz

Pak ditë pas marrjes së drejtimit të politikës së jashtme në BE, estonezja Kaja Kallas, kritikoi kancelarin gjerman,  Olaf Scholz për kursin e tij politik në Ukrainë.

“Ukraina ka nevojë për më shumë armë me rreze të gjatë, më shumë municione, në mënyrë që të jetë e fortë kur të bëhet fjalë për negociatat. Sa më e fortë të jetë Ukraina ushtarakisht, aq më e fortë është ajo në tryezën e negociatave.

Ky duhet të jetë fokusi ynë,” tha Kallas për gazetën gjermane, Süddeutsche Zeitung.  Deri më tani kancelari gjerman, Olaf Scholz ka refuzuar në mënyrë të përsëritur dërgimin e raketave me rreze të gjatë Taurus në Ukrainë.

“A doni që rregullat ndërkombëtare të zbatohen?”

Drejtuesja e BE për politikën e Jashtme, Kaja Kallas shprehu gjithashtu kritika edhe për refuzimin e kancelarit gjerman për të përmendur si objektiv një fitore të Ukrainës në luftën mbrojtëse kundër Rusisë.

“Nuk e kuptoj pse njerëzit kanë frikë t’i përdorin ato fjalë,” tha ajo. Bëhet fjalë për pyetje të thjeshta: “A doni që rregullat ndërkombëtare të zbatohen? Dëshironi një botë, në të cilën forca nuk triumfon mbi të drejtën? A janë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të sanksionuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe a duhet të respektohen ato? “Nëse përgjigjeni po për të gjitha këto pyetje, atëherë ju duhet të dëshironi që Ukraina të fitojë.”

Kallas pro Ukrainës në NATO

Kallas u shpreh në favor të pranimit të Ukrainës në NATO për të mbrojtur vendin nga Rusia. “Unë besoj se anëtarësimi në NATO është garancia e sigurisë që funksionon,” tha ajo. Ashtu si një numër i krerëve të tjerë të shteteve dhe qeverive në aleancë, Scholz është skeptik në lidhje me perspektivat për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në të ardhmen e afërt./ DW