Bozdo: Brenda 4 muajsh djali i kryebashkiakut të Poliçanit fiton dy tendera
I deleguarit politik i Partisë Demokratike në Berat, Eno Bozdo u shpreh sot se, “brenda 4 muajsh, djali i kryebashkiakut të Poliçanit ka fituar dy tendera pa konkurrencë, me ofertë 100% të fondit limit”.
“Vetëm tre ditë pasi Edi Rama deklaroi se do ta bënte Shqipërinë një ‘fanar ndriçues botëror’ në çështjet e prokurimit publik, duke përdorur inteligjencën artificiale, Bashkia e Përmetit ia dhuron prokurimin e radhës kompanisë së djalit të kryetarit të Bashkisë Poliçan, kompanisë ‘G&M Construstion 07’. Prokurimi është mbi punimet për rehabilitimin e rezervuarit Qilarisht”, tha Bozdo.
Sipas tij, “Kompania ‘G&M Construction 07’ e fiton këtë garë në mungesë të plotë të konkurrencës, madje me ofertë thuajse 100% të fondit limit. Në të njëjtën procedurë, dy kompani me oferta më të ulëta skualifikohen paraprakisht nga gara, duke lënë të vetëm në garë kompaninë e djalit të Adriatik Zotkës, kryetarit të Bashkisë Poliçan”.
“Neni 2 dhe 3 i Ligjit të Prokurimit Publik kërkon aplikimin në të gjitha rastet të parimit të konkurrencës, pra kërkon garë me më shumë se vetëm një pjesëmarrës! Por kryetarja e Bashkisë Përmet, preferon të shkelë ligjin dhe t`ia falë tenderin djalit të kolegut të saj në Poliçan”, tha ai.
Bozdo u shpreh se, “ajo çfarë e bën këtë skemë korruptive edhe më të rëndë, është fakti se nuk ndodh për herë të parë: në gusht të këtij viti, kryetarja e Bashkisë Dimal i akordon kompanisë ‘G&M Construction 07’, pra kompanisë së djalit të Adriatik Zotkës, një tjetër tender publik- vazhdimi i shtresës së asfaltit në rrugën Drenovicë, përsëri me ofertë gati 100% të fondit limit dhe përsëri në mungesë të plotë të konkurrencë, d.m.th. me një garues të vetëm”.
“Brenda 4 muajsh pra, djali i Adriatik Zotkës fiton dy tendera pa konkurrencë, me ofertë maksimale thuajse 100% të fondit limit. Për këtë ‘vënë dorën në zemër’ dy koleget socialiste të babait të tij, kryetaret e Bashkisë Dimal dhe Bashkisë Përmet, theksoi Bozdo.
“Këto fakte të bëra publike dhe të denoncuara nga Partia Demokratike tashmë janë më se të mjaftueshme që SPAK të vihet menjëherë në lëvizje për të hetuar gjithë këtë skemë korruptive. Për këtë nevojitet vullnet i fortë për të goditur korrupsionin, por ndërkaq shumë denoncime të mëparshme nga Partia Demokratike, mbi fakte flagrante, janë lënë në harresë nga SPAK”, tha Bozdo.
Fraksion.com