AktualitetTë fundit

Trafikonin shtetas ukrainas, 4 në pranga dhe 1 në kërkim në Vlorë

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidion Çela, së bashku me prokurorin e çështjes Erion Murataj dhe zëvendësdrejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dolën një konferencë për shtyp për të zbardhur detaje lidhur me operacionin policor të koduar “Transnacional”.

Gjatë këtij operacioni u goditën dy raste të trafikimit të personave të rritur nga shteti i Ukrainës. Pjesëtarët e këtij rrjeti trafikimi rekrutonin në vende të ndryshme të Evropës, kryesisht shtetas nga Ukraina, duke i sjellë në Shqipëri, ku më pas u mbanin dokumentet e udhëtimit dhe i shfrytëzonin për të kryer veprimtari të kundërligjshme.

Sipas Policisë, personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Evropës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet evropiane.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja”, 4 shtetas të huaj konkretisht: M. P., 27 vjeç, lindur dhe banues në Harkov, Ukrainë; N. K., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kiev, Ukrainë; O. T., 24 vjeç, lindur dhe banues në Minsk, Bjellorusi; M. S., 22 vjeçe, lindur dhe banuese në Kiev, Ukrainë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. M., 35 vjeç, banues në Poloni.

Gjithashtu, janë shoqëruar dhe 19 shtetas ukrainas, të moshave nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale dhe janë kryer veprime procedurale, me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit u sekuestruan 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.

 

Fraksion.com