Rama: “Transparent Albania”, urë e re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se platforma “Transparent Albania” është një portë unike për akses të shpejtë dhe të lehtë në informacion, që vendos transparencën buxhetore si prioritet.
I pranishëm në prezantimin e kësaj platforme, Rama u shpreh se ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt “Shqipërisë 2030”.
“Faktikisht një hap që lidhet me angazhimet e marra nga Shqipëria në kuadrin e Planit të ri të Rritjes së BE-së”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “nuk bëhet fjalë për një faqe të re, ose një faqe më shumë në internet për informimin publik, por bëhet fjalë për një instrument të ri, një platformë të re dhe një urë të re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve”.
“Kjo do të garantojë një shpejtësi shumë më të madhe dhe një gjerësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë. Është një platformë e cila pa diskutim shkon në përputhje me ambicien tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian në aspektin e standardeve”, shtoi Rama.
Fraksion.com