Normalizimi me Kosovën, ndër kushtet e BE-së për avancimin e Serbisë
Hapja e grupit të tretë të kapitujve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, do të merret në konsideratë pasi ky vend të bëjë përparim të rëndësishëm në fushën e sundimit të ligjit – kapitujt 23 dhe 24 – si dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Kështu është thënë në versionin e përditësuar të draft-konkluzioneve për Serbinë, të cilat do të diskutohen të premten nga ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Në këtë dokument përsëritet se përparimi i Serbisë në fushën e sundimit të ligjit dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën “do të vazhdojë të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit”.
Negociatat mes Brukselit dhe Beogradit për anëtarësim të Serbisë në bllok, janë të ngrira kryesisht për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga ana e palës serbe.
Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull që nga dhjetori i vitit 2021.
Hungaria, e cila kryeson Bashkimin Evropian deri më 31 dhjetor, e ka lënë të hapur mundësinë për hapjen e grupit të tretë të kapitujve për Serbinë, për të cilin Komisioni Evropian konsideron se vendi është teknikisht i gatshëm.
Megjithatë, Hungaria është përballur me rezistencë nga një numër i caktuar shtetesh anëtare që, përveç problemit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së, këmbëngulin për përparim në sundimin e ligjit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Për çdo vendim mbi mundësinë e hapjes ose mbylljes së kapitujve apo grupit të kapitujve në procesin e anëtarësimit, është i nevojshëm pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, ndonëse ka aplikuar./REL
Fraksion.com