AktualitetPolitikëTë fundit

“Imagjinoni një vend ku mundësitë rriten”: Rama ndan videon e AIDA-s

“Imagjinoni një vend ku mundësitë rriten përkrah traditës , ku çdo lindje dielli mbi Adriatik dhe Jon mbart premtimin e diçkaje të re. Shqipëria është ai vend.”

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video për promovimin e mundësive të Shqipërisë nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

“Videokartolinë e bukur promovimi të mundësive të Shqipërisë nga Agjencia Shqiptare e Investimeve dhe Zhvillimit (AIDA)”, shkruan Rama.

“Një vend me potencial të jashtëzakonshëm, mundësi strategjike dhe horizonte të reja për rritje”, thekson AIDA duke ftuar të gjithë të shohin videon  “Investo në Shqipëri” dhe të zbulojnë pse gjithnjë e më shumë investitorët e huaj po zgjedhin Shqipërinë si destinacionin ideal për suksesin e tyre.

“Një tokë ku e ardhmja ndërtohet jo vetëm mbi numra dhe statistika, por mbi ëndrra dhe aspirata. Një vend që nuk ekziston thjesht në hartë, por që frymon me mundësi të pakufizuara. Përfytyrojeni veten këtu duke u zgjuar në një vend të pasur me thesaret e natyrës, ku lumenjtë rrjedhin përmes luginave të bukura dhe dielli mbulon me flakë ari fushat bujqësore që shtrihen pafund. Burimet natyrore të Shqipërisë janë të pasura dhe gati për të ushqyer ëndrrat dhe vizionet tuaja. Minerale, energji dhe toka pjellore, që presin të mbjellin suksesin tuaj”, thuhet në videon e AIDA-s.

Duke ftuar investitorët të investojnë në Shqipëri, AIDA thekson në video se “këtu, rritja është e mirëpritur, dhe zhvillimi është një mundësi e përqafuar. Ekonomia është në zhvillim, tregjet po zgjerohen dhe zemra e vendit pulson me ambicie”.

“Shqipëria është në kryqëzimin ku kulturat dhe tregjet takohen. Nga këtu ju lidheni me Evropën, Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Shqipëria është një vend me shpirt, me një histori dhe energji që nuk resht kurrë. Portet që hapen në Adriatik dhe Mesdhe. Portat që drejtojnë biznesin tuaj në zemrën e kontinenteve, Shqipëria nuk është thjesht një vend, është një ritëm, një puls që ndjek rrjedhën e tregtisë globale”, thuhet në video.

Referuar statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në fund të gjysmës së parë të këtij viti investimet e huaja direkte arritën në 749 milionë euro.

 

Fraksion.com