Kryetarja e Kushtetueses Holta Zaçaj deklaron mbarimin e mandatit si gjyqtare kushtetuese
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj thirri sot mbledhjen e gjyqtarëve për deklarimin e përfundimit të mandatit të saj, ndërsa deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e lirë nga presioni politik dhe mediatik që funksioni i saj si mbrojtës i parimeve kushtetuese të jetë i fortë dhe i besueshëm.
Në një deklaratë për mediet pasditen e sotme, Holta Zaçaj sqaroi se nisur nga sulmet e paprecedente në medie për atë personalisht si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, njofton publikun në lidhje me afatin e qëndrimit në detyrë.
Zaçaj informoi se me vendimin nr. 19, datë 10.03.2017 Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtares Vitore Tusha, çka ka përbërë bazën ligjore për organin e emërtesës për të shpallur procedurat e kandidimit për zgjedhjen e gjyqtarit pasues.
Për shkak të shpalljes dhe rishpalljes së thirrjes për kandidatë nga Gjykata e Lartë, në cilësinë e organit të emërtesës përfundimisht, pas përfundimit të procedurave të vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka përcjellë Gjykatës së Lartë listën e renditjes së kandidatëve, së bashku me raportin dhe dokumentacionin përkatës.
Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë më 16.01.2023, vendosi zgjedhjen e Zaçajt anëtare të Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm, deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.
Za135aj sqaroi se më 25 Janar të këtij viti ka nisur ushtrimin e detyrës si anëtare e Gjykatës Kushtetuese pasi ka bërë betimin përpara Presidentit të Republikës.
“Sqaroj se unë nuk jam gjyqtare zëvendësuese e gjyqtares Vitore Tusha, pra nuk jam zgjedhur brenda mandatit 9-vjeçar të kësaj të fundit, të cilin e ajo ka kryer dhe e ka përfunduar për të gjithë kohën e parashikuar nga norma kushtetuese (pra për 9 vjet). Edhe pse ajo gjyqtare ka zgjedhur, në vijim, që të qëndrojë në detyrë deri në pritjen e pasardhësit të saj, kjo është e lejueshme për gjyqtarin kushtetues sipas parashikimeve të nenit 125, pika 7, të Kushtetutës për të mos penguar funksionimin e kësaj Gjykate”, u shpreh ajo.
“Unë jam zgjedhur në detyrë në një mandat të ri kushtetues që për arsye objektive, për shkak të vonesave në procedura, filloi të ushtrohej me vonesë por që në mënyrë përjashtimore nga rregulli i zakonshëm i kohëzgjatjes së detyrës për 9 vjet, ishte përcaktuar si i kufizuar për shkak të parashikimit të posaçëm të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës”, vijoi Zaçaj.
Ajo sjell në vëmendje se neni 125 i Kushtetutës ka sanksionuar se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese qëndron në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, përveçse kur Kushtetuta vetë ka përcaktuar një datë të ndryshme apo një kufizim të mandatit kushtetues.
“Pra kufizimi në kohë i mandatit tim vjen nga vetë Kushtetuta dhe jo nga ndërprerja hipotetike në mes e mandatit të anëtares Vitore Tusha, siç po anatemohet në media. Është mandati i asaj gjyqtareje që ka mbaruar në 10 mars 2017. Kjo datë nuk përcakton as fillimin dhe as mbarimin e mandatit të pasuesit të saj, që parimisht është një mandat kushtetues që përfundon në vitin 2025 (si me sipër neni 179, pika 3)”, vijoi Zaçaj.
Duke vijuar argumentet, ajo deklaroi se në momentin e kandidimit nuk ka qenë në dijeni dhe ka pranuar se po konkurronte në një mandat jo të plotë që sipas normës kushtetuese përfundonte në vitin 2025.
“Gjendur në kushtet e qëndrimit publik të Gjykatës së Lartë, të datës 6 Dhjetor 2024, bazuar në faktin që dispozita kushtetuese dhe vendimi i zgjedhjes time si anëtare e Gjykatës Kushtetuese nuk kishin një datë të përcaktuar, por vetëm vitin në të cilin përfundonte koha e qëndrimit në detyrë, vendosa që në datën 10 Dhjetor 2024 t`i drejtohem Komisionit të Venecias për të kërkuar një opinion amicus curiae duke pasur parasysh jo vetëm se në rastin konkret shtrohen për diskutim dhe interpretim çështje që kanë të bëjnë me parime kushtetuese, të cilat janë vënë edhe më parë në diskutim nga Komisioni i Venecias, të cilat mbartin interes publik dhe do i shërbejnë kësaj Gjykate edhe në të ardhmen, ashtu edhe për të shmangur mosmarrëveshje kushtetuese që mund të shkaktohen nga interpretime të normave kushtetues që mund të bien ndesh me parimet dhe kompetencat e sanksionuara në ligjin themelor”, u shpreh Zaçaj.
Nga ana tjetër, sipas saj, Gjykata e Lartë, nuk ka treguar se cila është baza ligjore që përcakton se data e përfundimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës është data referuese (dita dhe muaji) në të cilën përfundon edhe mandati i gjyqtarit pasardhës.
Sipas Zaçajt, është qartësisht e lexueshme se Gjykata Kushtetuese nuk është lejuar të ushtrojë kompetencën e saj dhe Gjykata e Lartë ka vepruar në kundërshtim të hapur me dispozitat e nenit 127, pika 2, të Kushtetutës sipas të cilit “Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetues deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese”.
“Shpallja e vendit vakant nga Gjykata e Lartë, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese e ka zhveshur këtë të fundit nga kompetenca kushtetuese, veprim ky i paprecedent dhe i marrë me një urgjencë të pajustifikuar nga interesi publik apo forcë madhore, për të cilën të kërkohej ndërhyrje e menjëhershme”, theksoi ajo.
Zaçaj thotë se më emër të interesit publik, në mbrojtje të institucionit që drejton dhe për të shmangur mosmarrëveshje kushtetuese, sot vendosi që t’i drejtohet Mbledhje së Gjyqtarëve për deklarimin e mbarimit të mandatit si gjyqtare kushtetuese.
Trupa e Gjykatës Kushtetuese u mblodh sot pa arritur në një vendimmarrje duke e shtyrë seancën për ditët në vijim.
Në mbyllje të deklaratës, Zaçaj shprehet se siguria e mandatit kushtetues është thelbësore për vetë demokracinë.
“Pa një organ të pavarur siç është Gjykata Kushtetuese, e cila kontrollon legjitimitetin e ligjeve dhe të akteve të shtetit, ekziston rreziku i cenimit të balancimit të pushteteve.
Kur Gjykata Kushtetuese është e lirë nga presioni politik, mediatik dhe ekonomik, funksioni i saj si rojtare e parimeve kushtetuese është më i fortë dhe më i besueshëm. Kjo jo vetëm mbron individin, por ruan edhe besimin e qytetarëve në institucionet demokratike.
Për më tepër, siguria e mandatit, garanton që çdo vendim i marrë nga Gjykata të bazohet në ligj, pa frikë nga pasojat politike dhe mediatike. Ky është një parim themelor për një sistem ligjor që dëshiron të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë”, përfundon deklarata e kryetares së Gjykatës Kushtetuese.
Ditën e djeshme, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi hapi procedurën për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të plotë 9-vjeçar.
Fraksion.com