AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: 6 muaj na penguan me akuza se do bllokonim SPAK, PS forca udhëheqëse e Reformës në Drejtësi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në takimin e nivelit të lartë ”Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”, të organizuar nga Kuvendi se është përmbyllur një fazë e parë shumë e rëndësishme themelore për zbatimin e planit për integrimin europian Shqipëria 2030 në BE.

“Puna e bërë dhe dokumenti analitik prej 700 faqesh janë pjesë e gjysmës së dytë të këtij viti, ndërkohë që gjysma e parë e vitit është konsumuar me frymën e skepticizmit të dyshimeve dhe kundërshtive pa diskutim edhe të akuzave po këto janë një element që nuk dua ta përfshij”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “kundërshtitë, dyshimet hezitimet, kanë qenë shumë shqetësuese për mua personalisht, kanë qenë shqetësuese sepse ne nuk e kemi luksin të humbasim kohë për gjëra që janë të qarta për ne si drita e diellit. Por nga ana tjetër kanë qenë edhe një provë shumë kokëfortë e faktit që pjesa dërrmuese e mbështetësve të sinqertë të rrugës evropiane të Shqipërisë dhe këtu përfshi të gjithë që nga dashamirësit deri tek kritikët nuk e kanë idenë se çfarë është kjo fazë e negociatave për anëtarësimin në BE”.

“Sepse përtej asaj që duket e lexohet sipërfaqësisht kjo fazë është një fazë marramendëse sa i përket detyrave konkrete që duhet të kryejë Republika e Shqipërisë, jo qeveria thjesht i gjithë sistemi shtetëror i Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “gjashtë muaj në ndërkohë që ambicia jonë të anëtarësojmë Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade shtuar këtu edhe planin e dakordësuar shumë agresiv së bashku me Komisionin Evropian që Shqipëria t’i përfundojë të gjitha detyrat brenda vitit 2027 na i bëjnë të pamundur të jetojmë qetësisht me skepticizmat dyshimet, dhe lëre pastaj me akuzat apo edhe me përpjekjet për ta penguar procesin”.

“Natyrisht u gjet një fjalë magjike e ditëve tona që 6 muaj të shkonin dëm. Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë një plan të errët për të bllokuar SPAK-un dhe për të kthyer përmbys reformën në drejtësi, prandaj bëjnë mbledhje sekrete me një grup njerëzish në PS dhe po thurin njëkomplot dhe natyrisht kur përmend SPAK dhe drejtësinë ka shumë sensibilitet dhe shumë forca që angazhohen për të dalë menjëherë në mbrojtje”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se nuk mund ta evitonte këtë çështje pasi do t’i kujtojë të gjithëve duke filluar nga aleatët strategjikë e duke vazhduar me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces si ekspertë të shoqërisë civile që u përballën me akuza dhe dëgjuan gjëra që nuk i kishin imagjinuar se do t’i dëgjonin.

“Por nga ana tjetër, çfarë nuk të vret të forcon dhe konsiderojini akuzat si hudhra që do të pengojnë syrin e keq që do u marri mësysh dhe duke vazhduar me të gjithë të tjerët që PS e Shqipërisë, forca që qeveris vendin prej vitit 2013 është forca udhëheqëse e reformës në drejtësi”, tha Rama.

“Pa forcën udhëheqëse të reformës në drejtësi dhe bindjen absolute dhe vullnetin e hekurt të PS jo Amerika, jo Europa, por të gjithë të tjerët të bëheshin bashkë nuk do ta kishin bërë të mundur reformën në drejtësi. Pa mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë kjo reformë do të kishte pasur një rrugë komplet tjetër dhe do të ishte e pamundur. Ne nuk kemi kohë as për të humbur as për të pritur ata”, tha Rama.

Fraksion.com