AktualitetKosovaTë fundit

Ambasadorit Hovenier i jepet Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ndau ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

Hovenier, i cili ka vendosur të pensionohet, do të largohet nga misioni në Kosovë këtë muaj.

Osmani e vlerësoi atë si më shumë se një ambasador.

“Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-në”, tha Osmani në një postim në Facebook, ku publikoi edhe një video nga ceremonia e ndarjes së Urdhrit.

Ky urdhër u jepet personave, vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.

Hovenier ishte në misionin e ambasadorit në Kosovë që nga fillimi i vitit 2022.

Derisa ka shprehur vazhdimisht mbështetje për vendin, në disa raste edhe ka kritikuar, sidomos Qeverinë, për shkak të disa veprimeve që SHBA-ja i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në gusht, Hovenier ka thënë se partneriteti me Kosovën “nuk është ai që do të shpresonim”.

Veprimet e kritikuara kanë pasur të bjënë me disa vendime për veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, të cilat Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i ka cilësuar vetëm si përpjekje për shtrirjen e autoritetit në të gjithë vendin.

 

Fraksion.com