Life StyleTë fundit

Risitë e Festivalit të 63-të të Këngës: Nga çmimi i madh te votimet dhe moderatorët

Festivali i 63-të i Këngës po afron teksa zbulohen detaje të reja mbi spektaklin që pritet të elektrizojë skenën shqiptare. Një ndër eventet më të rëndësishme të muzikës shqiptare do të zhvillohet nga data 19 deri më 22 dhjetor në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Moderimi i këtij eventi të shumëpritur do t’i besohet Enkel Demit dhe Ornela Bregut, ndërsa në zonën e këngëtarëve do të jenë Dalina Buzi dhe ekipi i saj nga “Andale.” Spektakli do të vijë nën regjinë e Redi Trenit, duke garantuar një shfaqje vizuale dhe muzikore të nivelit më të lartë.

Për herë të parë, Fest 63 do të prezantojë një sistem votimi të zgjeruar, ku do të përfshihet edhe diaspora, e cila do të ketë mundësinë të votojë për këngën fituese.

Për sa i përket çmimeve, ky vit do të sjellë një ndryshim të madh: do të ketë një fitues të vetëm, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision. Ky ndryshim vjen për të thjeshtuar procesin, ku publiku dhe juria do të kenë mundësinë të zgjedhin këngën më të mirë.

Një tjetër risi e madhe është skenografia kinetike, që lëviz në përputhje me emocionet e secilës këngë, ndërkohë që ndriçimi luan një rol kyç për të krijuar atmosferën magjike të festivalit. Këto teknologji moderne do të ndihmojnë për të sjellë një shfaqje spektakolare.

Këtë vit, një natë speciale do t’i kushtohet poezisë dhe tekstit të këngëve, duke nderuar poetët dhe tekstshkruesit e mëdhenj të festivalit, që kanë lënë një gjurmë të thellë në historinë e muzikës shqiptare. Nata Nostalgjike do të rikthejë në skenë emocionet dhe fjalët që kanë formuar këngët më të dashura për publikun shqiptar.

Festivali i Këngës do të zhvillohet në 4 netë nga datat 19-22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.

 

Fraksion.com