Rama: Nga rrugët te shkollat, monitorim me kamera dixhitale për rritjen e sigurisë
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se falë kamerave dixhitale dhe bazuar në sistemin e inteligjencës artificiale, në Shqipëri do të mund të monitorohet në kohë reale gjithçka ndodh në rrugët e vendit dhe deri në qelizën bazë të së nesërmes që janë shkollat.
I pranishëm në Konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, Rama u ndal te sistemi i monitorimit të rrugëve me kamera, sistem i cili sipas tij do të shtrihet edhe në shkolla.
“Një tjetër produkt është ai i sigurisë i cili lidhet me sigurinë në rrugë që falë një sistemi të kamerave dixhitale, por bashkuar me një sistem të inteligjencës artificiale do të mund të monitorojmë në kohë reale gjithçka ndodh në rrugët e vendit dhe deri në qelizën bazë të së nesërmes që janë shkollat”, tha Rama.
Mbi këtë bazë, kryeministri theksoi se do të ketë një raport krejtësisht ndryshe mes qytetarit dhe ligjit.
“Ndërkohë, policia do të bëhet më në fund e padukshme në rrugët e vendit si rezultat i teknologjisë. Nga ana tjetër do të ketë një raport krejt ndryshe mes nxënësit, mësuesit, prindërve dhe institucioneve falë faktit që gjithçka do të jetë në kushte shumë të përparuar sigurie”, tha Rama.
Fraksion.com