Rama: Duam që të prodhojmë paratë në vend, të gjitha llojet e letrave me vlerë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria do të prodhojë në vend paratë dhe të gjitha llojet e letrave me vlerë.
Në fjalën e tij në në Konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, Rama u shpreh se, qeveria do të firmosë javët e ardhshme një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për të transformuar tërësisht Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë.
“Ne jemi duke përgatitur, dhe besoj që do ta firmosim në javët e ardhshme, një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara për të transformuar tërësisht Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë”, tha Rama.
Ambicia jonë, shtoi kreu i qeverisë, “është që në një kohë jo të largët, të arrijmë jo vetëm të prodhojmë në vend paratë, të prodhojmë në vend të gjitha llojet e letrave me vlerë, përfshirë edhe të gjithë çfarë ka në botën digjitale, për sa i përket identifikimit përmes telefonit dhe jo më përmes një karte identiteti nëpër xhepa, duke arritur që në të gjithë këtë sistem me këto pjesë që ju bëra me dije të kemi një qeverisje që në 2030-ën të jetë e një niveli shumë më të lartë, për sa i përket standardeve të respektit për ligjin, standardet për respektin për qytetarin dhe nga ana tjetër standardet e respektit për vendin tonë në arenën ndërkombëtare”.
Fraksion.com