Rama: Do të bëhemi vendi i parë në rajon me prokurime publike me inteligjencë artificiale
Kryeministri Edi Rama siguroi sot se Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon që do të realizojë prokurime publike me 90% të procesit të realizuar përmes inteligjencës artificiale.
I pranishëm në Konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, Rama tha se kjo do të sjellë një nivel objektiviteti e transparence të pakonkurrueshme.
Kryeministri theksoi se ky hap lidhet me një fazë të re të luftës kundër korrupsionit, ndërsa solli në vëmendje se raporti i SIGMA-s e rendit aktualisht Shqipërinë të parën në rajon për sa i përket prokurimeve publike.
“Bëhet fjalë për një model inovativ me Inteligjencë Artificiale për të realizuar prokurimet publike. Ne tanimë jemi në fazë tjetër komplet me prokurimet publike dhe këtë e tregon qartësisht raporti i progresit i BE-së, si dhe tryeza jonë e negociatave për anëtarësim ku pavarësisht të gjitha që stërthuhen, në aspektin e prokurimeve publike ne nuk kemi asnjë piketë të ndërmjetme dhe në bazë të raportit të SIGMA-s jemi në vendin e parë në rajon”, tha Rama.
Rama shprehu bindjen se me modelin e inteligjencës artificiale që po ndërtohet, rreth mesit të mandatit të katërt Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të realizojë prokurime publike me 90% të procesit pa njeriun dhe me një nivel objektiviteti e transparence të pakonkurrueshme nga çfarëdolloj komisioni prokurimesh.
“Kjo do të jetë një tjetër arritje falë këtij besimi që na jep teknologjia, sepse ndryshe procesi do të bazohej te sensibilizimi, trajnimi e me radhë”, tha Rama.
Fraksion.com