Edhe vetë Elvana Gjata reagoi përmes një postimi në Instagram, duke shprehur habinë dhe shqetësimin për këtë çështje. Këngëtarja theksoi se nuk e kupton arsyen e këtij problemi dhe nuk ka mundësi për ta zgjidhur, pasi videoja është publikuar nga RTSH dhe jo nga kanali i saj personal.

“Sërish, nuk mund ta di dhe ta kuptoj pse po ndodh kjo, por mund ta them me siguri që s’e kam parë kurrë diçka të tillë të ndodhë. Në çdo rast, nuk kam çfarë të bëj për këtë gjë, sepse kënga nuk është në kanalin tim. Po vlerësojmë opsionet tona. Ju dua të gjithëve dhe faleminderit që po kujdeseni,” shkroi ajo.

Reagimet e publikut nuk kanë munguar. Në rrjetet sociale dhe në seksionin e komenteve në YouTube, fansat kanë shprehur indinjatën e tyre, duke akuzuar RTSH-në për sabotim të qëllimshëm.

Ky problem ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me menaxhimin teknik të Festivalit të Këngës dhe mundësinë që gabime të tilla të ndikojnë në performancën e artistëve dhe rezultatin final. Duke qenë se fituesi i këtij festivali do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, cilësia e materialeve që prezantohen ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, RTSH ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar për situatën.

 

Fraksion.com