Lufta kundër pastrimit të parave, Rama: Kemi lënë pas vende të zhvilluara të BE-së
Shqipëria po punon që përmes Inteligjencës Artificiale të integrojë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës.
Këtë e konfirmoi sot kryeministri Edi Rama gjatë konferencës rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”.
Kryeministri theksoi se në këtë drejtim Shqipëria ka lënë pas shumë vende të zhvilluara të BE-së, ndërsa solli në vëmendje Indeksin e Bazelit për luftën kundër pastrimit të parave.
“Në kushtet e sotme nuk është e nevojshme jo vetëm të bëhemi si gjermanët, që i kemi lënë mbrapa bashkë me disa vende të tjera, në atë që është një tjetër pikë ku na godasin rregullisht me shkopin e mësuesit, me pastrimin e parave. Këtë nuk e them unë, por e thotë Indeksi i Bazelit. Janë jo pak, por janë 7 apo 8 vendet të BE-së që në Indeksin e Bazelit për pastrimin e parave renditen pas Shqipërisë”, tha Rama.
Por, kryeministri theksoi se “nuk jemi të kënaqur me kaq”.
“Mirëpresim goditjet dhe leksionet, se duam të bëhemi shumë më të mirë. Me Inteligjencën Artificiale ne po punojmë që të integrojmë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës”, tha Rama.
Fraksion.com