Fetai: Siguria kibernetike, një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi
Në konferencën ndërkombëtare “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai.
Në këtë konferencë ku Shqipëria mikpret rajonin për të diskutuar revolucionin digjital, Arben Fetai u shpreh se qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka vendosur transformimin digjital si një ndër 5 fushat prioritare të axhendës së reformave në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Duke u përqendruar në transformimin digjital, ne synojmë të krijojmë infrastruktura të sigurta digjitale, të digjitalizojmë administratën publike dhe të rrisim së paku me 50% numrin e shërbimeve publike elektronike që u ofrohen qytetarëve”, tha Fetai.
Për të arritur këto ambicie, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se do të investohet në korniza ligjore dhe strategjike që garantojnë mbrojtjen e të dhënave digjitale, ndërkohë që promovojnë modernizimin e të gjitha shërbimeve publike.
“Në Ministrinë e Transformimit Digjital, po përgatitemi për ndërtimin e një qendre të dhënash kombëtare. Kjo iniciativë do të përmirësojë sigurinë e të dhënave, do të sigurojë konsistencë dhe do të optimizojë kostot operative. Këto masa do të kontribuojnë në modernizimin e administratës publike e gjithashtu në parandalimin dhe reduktimin e korrupsionit” deklaroi Arben Fetai.
Në përfundim të fjalës së tij, zëvendëskryeministri përmendi tri porosi:
E para, kishte të bënte me transformimin digjital, i cili, sipas tij, nuk është një përpjekje e izoluar e shteteve tona veç e veç. “Si partnerë rajonalë, ndajmë përgjegjësi për të bashkëpunuar, për të përshpejtuar progresin tonë të ndërsjellë dhe për t’u siguruar që përfitimet e digjitalizimit të ndihen nga të gjithë qytetarët e vendeve tona”, u shpreh Fetai.
Më tutje ai renditi sigurinë kibernetike që është padyshim një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi, prandaj duhet t’i jepet prioritet mbrojtjes së të dhënave personale, parandalimit të manipulimeve dhe mbrojtjes nga sulmet kibernetike.
Porosia e tij e tretë ishte modernizimi i shërbimeve publike përmes platformave të e-Qeverisjes, që jo vetëm përmirësojnë efikasitetin, por gjithashtu luftojnë korrupsionin duke reduktuar transaksionet direkte midis zyrtarëve të shtetit dhe qytetarëve.
Fraksion.com