Celibashi: Përjashtimi i partive nga administrimi i zgjedhjeve do të ishte gabim, vështirë se do të pranonin rezultatin
Në Tiranë është zhvilluar sot konferenca për përgatitjen e zgjedhjeve të 11 majit, me temë “Depolitizimi i Administratës Zgjedhore – Nevoja për Punëtorë Profesionistë elektoralë”.
Kryetari i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në fjalën e tij tha se do ishte gabim që partitë politike të përjashtoheshin nga procesi i administrimit të zgjedhjeve.
Përjashtimi i tyre tha ai do të shkaktonte probleme të tjera, në raport me pranimin e rezultatit të zgjedhjeve.
“Partitë politike kanë një peshë shumë të madhe në administrimin e procesit zgjedhor dhe e vërteta është se eksperienca e të paktën e këtyre 30 viteve të fundit, ka treguar një disproporcion të madh ndërmjet të drejtës që partitë kanë për të qenë palë në nivel të dytë dhe të tretë dhe me përgjegjësinë që ata reflektojnë në këtë proces, por në gjykimin tim krejt personal, të paktën në situatën politike dhe sociale ku ndodhet Shqipëria, partitë politike të përjashtohen tërësisht nga administrimi, mendoj se do bënim një gabim të madh, nëse partitë do të shmangeshin tërësisht dhe do thërrisnim vetëm nëpunës civilë.
Aktorët politikë nëse nuk jenë prezentë, e vështirë se do ta pranonin rezultatin e zgjedhjeve. Do të duhet jo vetëm partitë, por ka ardhur koha, që partitë të kenë kontributin e tyre, por do të duhet që në këtë proces të jenë të angazhuar edhe persona që nuk vijnë nga zyrat e partive”, tha ai.
Fraksion.com