AktualitetPolitikëTë fundit

TIA regjistron pasagjerin e 10-miliontë, Balluku: 90% e turistëve hyjnë nga Rinasi

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë regjistroi sot pasagjerin e 10-miliontë për vitin 2024, ndërkohë që në total deri tani në vendin tonë kanë hyrë 11 milionë e 40 pasagjerë.

Shifrat i bëri të ditura sot zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila mori pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Balluku theksoi se aeroporti i Rinasit është porta e parë e prezantimit të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi gjithë investimet që ka ndërmarrë koncensionari  për të rritur standardet në këtë aeroport.

“Nuk ka qenë e lehtë pasi të arrish dhe kremtosh sot pasagjerin e 10-miliontë ka kaluar përmes një rruge të vështirë, plot me dyshime nga gjithë të tjerët që e kanë përdorur për narrativë politike apo narrativë publike, duke na akuzuar që të gjitha këto ishin premtime në letër 3D”, tha Balluku.

Balluku theksoi se aeroporti i Rinasit i ka tejkaluar të gjitha parashikimet ndër vite si në planet afatmesme 3-vjeçare edhe në planet 5-vjeçare afatgjata.

Sipas saj, 90% e turistëve që vizitojë vendin tonë kanë hyrë nga Rinasi.

“Para se t’i afrohen plazheve, fushave, kulinarisë shqiptare, porta e parë ku turistët futen dhe prezantohen me Shqipërinë është aeroportin i Rinasit. Ashtu sikurse janë edhe pikat kufitare ku ne kemi investuar këtë vit duke i njehsuar ato si nga ana vizuale, ashtu edhe nga ana e ofrimit të shërbimit. Por nga 11 milionë e 40 turistë që kanë hyrë në Shqipëri deri në 30 nëntor, 10 milionë kanë hyrë nga Rinasi, pra 90% e prezantimit të Shqipërisë në momentin e parë të hyrjes bëhet nga kjo portë”, tha Balluku.

Ajo vuri në dukje çmimet e ulëta të biletave që ofrohen nga ky aeroport, por edhe numrin shumë të lartë të destinacioneve krahasuar jo vetëm me vende të rajonit, por edhe me vende të tjera të BE-së.

“Kemi shtim të kapaciteteve aeroportuale, vendqëndrimeve apo edhe akseseve të tjera alternative në pistë dhe mbi të gjitha teknologji të re. Teknologjia që sot përdoret për skanimin e pasagjerëve është nga teknologjitë më të larta që gjendet vetëm në disa nga aeroportet e BE-së. Kjo sjell përpunim më të shpejtë të fluksit të pasagjerëve duke mos krijuar radhë si vite më parë. E njëjta gjë edhe me e-Gate. Duke filluar nga vitit 2021, TIA ka kryer një sërë investimesh të mirëplanizuara. Sot janë në përdorim 70% më shumë vendqëndrime avionësh, kapaciteti i përdorimit të pistës është rritur me 15%, si dhe është dyfishuar territori i përdorshëm i terminalit dhe janë 4-fishuar skanerat e sigurisë”, tha Balluku.

Tregues i rëndësishëm, sipas saj është edhe rritja e numrit të pasagjerëve në orët e pikut  nga 1844 pasagjerë në vitin 2019, në 3500 pasagjerë këtë vit.

“Kjo rritje kapacitetesh ka mundësuar të gjitha këto rezultate. Sipas Eurocontrol performanca e aeroportit të Rinasit për vitin 2024 është përmirësuar 2.3 herë krahasuar me 1 vit përpara”, tha Balluku.

 

Fraksion.com