AktualitetTë fundit

SPAK dërgon në gjykim kryebashkiakun e Devollit dhe 4 të pandehur të tjerë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim kryetarin e bashkisë së Devollit Eduard Duro si dhe 4 të pandehur të tjerë; Astrit Seferkolli, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Mali për “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim, dhe Vojsava Bregu e akuzuar për “Shpërdorim detyre”.

Sipas SPAK nga aktet e administruara rezulton se janë konstatuar shkelje ligjore nga njësia Administrative Qendër Bilisht, me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 shoqërisë Genci Petrol”, sh.p.k., për stacionin e shitjes së karburantit në Devoll, Kapshticë.

SPAK thotë se prej vitit 2015 dhe në vijim, nga dhënia e lejes dhe autorizimit në kundërshtim me ligjin janë realizuar përfitime të padrejta nga kjo shoqëri.

“Në kohën kur mbante detyrën e Administratorit të komanduar të Njësisë Qendër Bilisht, shtetasja Vojsava Bregu mundësoi shoqërisë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k me lejen nr.4, në 27 gusht të 2015 “për tregtimin me pakicë të karburanteve+GLN”, me vendndodhje të aktivitetit tregtar në Devoll, Kapshticë”, njofton SPAK.

Sipas SPAK dhënia e lejes ishte në kundërshtim me ligjin.

“Subjekti “Genci Petrol”, sh.p.k. në kohën e dhënies së saj nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; a. aktin e kontrollit, b. lejen e shfrytëzimit për stacionin e karburantit dhe c.autorizimin për hyrje-daljet në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, si rrugë interurbane dytësore”, thotë SPAK.

SPAK bën të ditur se nga aktet e administruara rezulton se Eduard Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, me autorizimin “Për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante, në stacionin rruga nacionale Bilisht-Kapshticë, kilometri 10, në afërsi të Doganës, Kapshticë”.

“Autorizimi i mësipërmen është dhënë në kundërshtim me ligjin nr. 8450, dt 24.02.1999  dhe VKM nr. 970 dt. 2.12.2015 dhe në këtë kohë “Genci Petrol” sh.p.k. nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; a.çertifikatën e përdorimit të objektit stacion karburanti dhe b.autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga enti pronar i rrugës. Për këtë objekt të kundraligjshëm, me vendim të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ishte vendosur edhe prishja e tij”, thotë SPAK.

Fraksion.com