AktualitetTë fundit

Reçi: Përparime në legjislacion kundër dhunës në familje, problematikat që ndeshim

Në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, nuk kanë munguar organizimet dhe mesazhet e sensibilizimit nga personalitete dhe drejtues të organizatave të ndryshme që operojnë prej vitesh në vendin tonë. Qendra Kombëtare e Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje (Q.K.V.DH.F), në varësi të Shërbimit Social Shtetëror dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me drejtuese Sonila Reçin, është një strehëz që ofron shërbim rezidencial 24/7 me një ekip profesionistësh si; punonjës social, psikolog, mjekë, edukatorë, kujdestarë dhe staf mbështetës.

Qendra Kombëtare e Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje ka për qëllim fuqizimin nëpërmjet shërbimeve dhe ndihmës sociale cilësore, të qëndrueshme dhe me standarde bashkëkohore të viktimave të dhunës në familje (gra, vajza, fëmije 0-18 vjeç), me nevoja për përkujdesje shoqërore, me qëllim që të nxitet pavarësia, përfshirja, dinjiteti si dhe integrimi i tyre në jetën normale.

Reçi thotë për ATSH-në se nga periudha 1 janar 2024 deri në 2 dhjetor të këtij viti, janë trajtuar 43 banorë, nga të cilët 14 gra gra dhe 29 fëmijë (12 vajza + 17 meshkuj), nga të cilët dy banore kanë qenë të mitura, të pashoqëruar nga kujdestarë apo prindërit e tyre. Nga këto, vetëm një banore ka qenë shtetase e huaj (bullgare).

“Numri i përfituesve që kanë dalë gjatë periudhës 1 Janar 2024-02.12.2024  ka qenë 41 banorë nga të cilët 15 gra dhe 26 fëmijë (12 femra + 14 djem). Nga këta banorë: 5 kanë qenë të komuniteti rom (1 grua+ 4 fëmijë) nga të cilët 2 femra dhe 2 meshkuj. Gjatë vitit 2024 janë integruar katër banore së bashku me fëmijët e tyre të mitur të mbështetur me pagesë qiraje kryesisht nga organizata “Të ndryshëm të Barabartë’’, si edhe Qendra Psiko-Sociale ‘’Vatra’’”, thotë Reçi.

Në kuadër të 16 Ditëve Portokalli aktivitetet të cilat do të realizohen janë në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror “Biblioteka Njerëzore’’, në të cilën ishin të ftuar të gjithë aktorët që bashkëpunojnë më Qendrën Kombëtarë Të Trajtimit të Viktimave Të Dhunës në Familje, të cilët ndihmojë në lehtësimin procesin e riintegrimit pas daljes së banorëve. Sesion ndërgjegjësues në shkollat që operojnë në Bashkinë Kamzë dhe Bashkinë Tiranë. Trajnim nga OSCE për banorët e QKTVDH me temë; ‘’Ngritja e kapaciteteve për të kërkuar punë’’etj.

Qendra Kombëtare e Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje ka një bashkëpunim interaktiv dhe frytdhënës me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si edhe me institucionet e tjera në lidhje me pjesën e shërbimeve që ofrojnë për viktimat e dhunës në familje si pagesë qiraje, përfitimin e bonusit social, paketave ushqimore pas daljes, ndihmë juridike falas, regjistrimi i fëmijëve në çerdhe, kopsht shkollë, regjistrimi tek Zyrat e Punës.

“Shqipëria vlerësohet të ketë përparime në legjislacionin e saj kundër dhunës në familje dhe ndaj grave, në këtë përfundim ka arritur raporti i ri i publikuar nga GREVIO (Grupi i Ekspertëve për Masat kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje). Legjislacioni shqiptar ka pësuar ndryshme ndër vite duke përmirësuar politikat dhe duke iu ardhur më në ndihmë viktimave të dhunës në familje. Bazuar në ligjin 25/2020 për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669 datë 18.12.2006 për masat ndaj dhunës me bazë familjare , të ndryshuar. Gjykata si masë mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje urdhëron menjëherë dhunuesin të largohet nga banesa për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën banesë. Me miratimin e VKM-së nr 898, datë 29.12.2021 për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr 597 datë; 04.09.2019 , të Këshillit të Ministrave”, shprehet ajo.

Një tjetër element që del në pah sipas raportit të GREVIO-s është zbatimi urgjent i urdhrave të mbrojtjes dhe ndalimit ndaj partnerëve dhunues. “Nisur nga frika e vazhdueshme që përfitueset ndjejnë për të raportuar dhunën, hasim shpesh stepje të viktimave të dhunës për të mos e vazhduar kallëzimin penal ndaj dhunuesit ndonëse kërkojnë të pajisen me urdhër mbrojtje ndaj dhunuesit. Ndonëse ligji në mënyrë eksplicite citon që dhunuesi duhet të largohet nga banesa, kemi konstatuar se kjo gjë nuk është zbatuar rregullisht. QKTVDHF me Policinë e Shtetit ka një bashkëpunim interaktiv. Policia e Shtetit konkretisht na asiston në shoqërimin e viktimave të dhunës më patrullë në rastet kur viktima është e pajisur me UMM, në rastet e tërheqjes së sendeve personale, asistimin në rastet e takimit midis dhunuesit dhe fëmijëve në rastet kur nuk janë të përfshirë në urdhër mbrojtje fëmijët”, shton Reçi.

Sipas Reçit, në vend në total janë raportuar mbi katër mijë raste dhune ndaj grave dhe vajzave gjatë vitit 2024. “Po të bëjmë një ndarje gjeografike statistikisht në qendrën tonë ndër vite kanë dominuar më shumë raste nga veriu kryesisht Kukësi, ndërsa jugu kryesisht Fier dhe Vlorë. Niveli i ndërgjegjësimit kryesisht në Tiranë, Durrës, Korçë është më i lartë se sa në rrethet e tjera”, përfundon Reçi./ATSh

Fraksion.com