AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: IDU rezolutë në mbështetje të PD-së për qeveri teknike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka njoftuar sot një tjetër rezolutë, që sipas tij është miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë në SHBA, në mbështetje të PD-së dhe opozitës shqiptare.

“Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë, organizata e cila defakto drejtohet, grupon me dhjetëra parti, mbi 80-ca parti, dhe drejtohet nga Partia Republikane e SHBA-së, ka miratuar me unanimitet dje një rezolutë, në të cilën gjendjen në Shqipëri e përshkruan atë të një diktature, të krahasueshme me Tunizinë dhe Bjellorusinë, në të cilën të gjitha pushtet janë të përqendruara në një dorë, zgjedhjet janë të shndërruara në një fasadë, opozita, drejtuesit, deputetët, eksponentët e saj, persekutohen për motive politike, njëlloj si në Tunizi dhe Bjellorusi”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë IDU, pasi dënon të gjitha këto akte, këto shfaqje, dënon burgosjen, proceset politike, ndaj liderëve dhe eksponentëve të opozitës.

Po ashtu shton Berisha “kërkon që drejtësia të jetë e pavarur, se një drejtësi e kontrolluar tërësisht nga PS-ja, është një drejtësi e papranueshme në standardet ndërkombëtare”.

Berisha thekson më tej se “ky Union kërkon që në Shqipëri të krijohet një qeveri kujdestare, për një proces zgjedhor, të lirë dhe të ndershëm”.

“Në një hark kohor të shkurtër, më pak se 1 muaj, komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme PD-së dhe opozitës. Diplomacia e PD-së dhe opozitës shqiptare është dëshmuar, si diplomacia më e suksesshme në historinë e opozitarizmit në Shqipëri”, tha Berisha.

Berisha përgëzoj gjithë diplomacinë në komunikim të PD-së, e cila sipas tij përgatiti këtë informacion dhe realizoi me sukses të plotë votimin si kurrë më parë të tre rezolutave njëra pas tjetrës që dënojnë regjimin e Tiranës dhe mbështesin opozitën në Shqipëri.

Fraksion.com