Partia e Lirisë protestë para SPAK për arrestimin e Metës: Jo drejtësi me regji
Partia e Lirisë zhvilloi sot protestë para godinës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e para protestë politike e zhvilluar ndonjëherë më parë në Shqipëri para godinës së SPAK.
Protesta u thirr nga qelia e paraburgimit nga vetë presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pas arrestimit të këtij të fundit nga SPAK në tetor të këtij viti, pasi ky i fundit e akuzon për tre vepra penale.
Me pankartat, të cilat ishin të shkruara edhe në gjuhën angleze, “Jo drejtësi me regji”, “Altin Dumani mercenar i Rilindjes”, “SPAK turpi i reformës në Drejtësi”, mbështetësit e Partisë së Lirisë protestuan para godinës së SPAK.
Protesta kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi, deputetja Erisa Xhixho si dhe avokati i Metës, Genc Gjokutaj, njëkohësisht anëtar i kryesisë së PL-së.
Në fjalën e tij sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzoi SPAK si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.
“Ky institucion me veprimtarinë e tij antikushtetues e antiligjore ka vrarë besimin e qytetarëve të drejtësia e shteti ligjor duke u bërë njësh me mafien në pushtet. SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershme patriotë për barazi para ligjit. Ky institucion prodhon padrejtësi, antiligj dhe antiarbitraritet. Jemi sot këtu, sepse SPAK-u është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar në Europë dhe në botë. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral”, tha Blushi.
Blushi akuzoi kreun e SPAK si mercenar të rilindjes, që sipas tij ka mision persekutimin politik të opozitës.
“Është ky Altin Dumani që shkul një fshat të tërë për ta hetuar për një autokombajnë pa leje. Është një institucion mashtrues e montues procesesh të rreme me zero fakte e dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës vetëm për llogari të narkomafies. Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, lirive, dinjitetit njerëzor të çdo shqiptari. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës””, tha Blushi.
Për të siguruar rendin dhe shmangur përshkallëzimin e situatës, forca të shumta policie kanë rrethuan godinën SPAK.
Në protestë u vu re mungesa e figurave kryesore politike nga radhët e Partisë Demokratike.
Deputetja Erisa Xhixho theksoi se çështjen e Metës do ta ndjekin deri në gjykatën e Strasburgut.
“Pse izolohet Ilir Meta në ekstrem para zgjedhjeve të 2025, presidenti i PL-së? Ilir Meta dhe PL janë në rrezik elektoral për regjimin ndaj duhet izoluar në ekstrem. Shqiptarëve po u vidhen miliona euro, në aferën e inceneratorëve. I themi jo përdorimit të SPAK për interesa politike të Edi Ramës”, tha Xhixho.
Protesta zgjati për rreth një orë dhe nuk u shënuan incidente.
Fraksion.com