Anëtarësimi i Shqipërisë, Dhuka: Të zgjerojmë informimin mbi BE-në për të drejtat dhe detyrimet
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, deklaroi se “Shqipëria është në çastin që sapo i ka çelur negociatat dhe prespektiva e anëtarësimit është e afërt, ndaj kërkohet të reflektohet me përmirësimet që duhet të bëhen në kushtet e negocimit dhe anëtarësimit”.
E pranishme në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Dhuka tha se, “krahas konsultimit për aktet nënligjore sipas BE-së, është e nevojshme edhe vlerësimi rregullator i politikave”.
“BE punon mbi bazë politikash ku rregulloret janë të vetëzbatueshme, por direktivat janë udhëzime të politikave”, u shpreh ajo.
Dhuka vuri theksin në nevojën e vlerësimit të ndikimit të politikave, përpara marrjes së nismave ligjore ose politikëbërëse, pasi siç tha ajo, “ka të bëjë me ndikimin në grupet e interesit”.
Dhuka solli si shembull se në politikën e përbashkët bujqësore ka rëndësi të bëhet një reflektim i gjerë ekonomik shoqëror në lidhje më ndikimet e kësaj politike në bujqësinë shqiptare, ku padyshim këtu grupet e interesit dhe shoqërisë civile luajnë një rol kryesor, sepse ky ndryshim duhet të vij nga poshtë lartë, që të jetë realisht dhe të ndikojnë në transformimin në themel.
Ministrja Dhuka u ndal edhe në çështjen e konsultimit.
“Ka disa përmirësime. Ne kemi parë modelet e forumeve opiniondhënës dhe influencuesve në BE. Një i tillë është Këshilli Social Ekonomik Europian. Pra ekzistojnë forume opinioniste që shpallin për konsultim një nismë. Këto grupe opinionistësh kanë në përbërje përfaqësues të shoqërisë civile. Kanë mbi 300 anëtarë me mandat, sekretari dhe fonde të dedikuara. Pra shoqëria civile ulet në një forum përfaqësimi dhe roli i tij është vetëm dhënia e opinioneve”, tha ajo, teksa shtoi se, krijimi i analizave të pavarura, nga këto këshilla, mund të trupëzohen në rekomandime që i shkojnë faktorit politikëbërës”, theksoi ajo.
Ndër të tjera, theksoi ajo, duhet të zgjerojmë informimin e gjerë të qytetarëve mbi BE-në.
“Kemi disa mjete të informimit si Këndi i BE në disa bashki, Shtëpinë e Biznesit, apo programet e transparencës por synojmë të krijojmë edhe asistentët virtual për bizneset ndërsa duhet të diskutojmë nëse duhet të zhvillojmë mjete të reja për informimin”, u shpreh Dhuka.
Ajo gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e mekanizmave të koordinimit midis nivelit qendror dhe lokal dhe shoqërisë civile, për të zhvilluar disa praktika kompromisi që arrihen në disa raste dhe i përgjigjen zhvillimit sipas praktikave më të mira.
Fraksion.com