AktualitetPolitikëTë fundit

Blushi me Misionin e Vlerësimit të Nevojave nga OSBE: Nevojë alarmante për zbatimin rigoroz të Kodit Zgjedhor

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe një grup përfaqësuesish të kësaj force politike, pritën sot në selinë e PL, Misionin e Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR.

Blushi tha se arrestimi i Ilir Metës dhe proceset e tjera ndaj zyrtarëve të opozitës janë një përpjekje politike për të izoluar opozitën disa muaj përpara zgjedhjeve.

“Rrëmbimi kriminal, procesi kryekëput politik hetimor dhe izolimi ekstrem i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në prag të vitit elektoral, akuzat e stisura politike ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, burgosjet dhe shantazhet politike ndaj drejtuesve të tjerë të opozitës, manipulimet paraprake të zgjedhjeve nga ana e qeverisë dhe Kryeministrit përmes keqpërdorimit të mekanizmave ligjorë dhe burimeve shtetërore për shitblerjen e votës, përpjekjet për të kontrolluar votën e diasporës, patronazhimi, kapja e të gjitha institucioneve të pavarura, si dhe klima tejet e acaruar politike, ishin disa nga shqetësimet e shprehura prej nesh në këtë takim”, tha Blushi.

Sekretari i PL-së e vuri theksin edhe tek asistenca e ODIHR për monitorimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, që sipas tij mbetet ende një problem madhor për vendin.

“U ritheksuam përfaqësuesve të ODIHR nevojën alarmante për të forcuar zbatimin rigoroz të Kodit Zgjedhor dhe për krijimin e një klimë zgjedhore normale, pa ndikimin të krimit dhe administratës publike rilindase në zgjedhje, në mënyrë që të kemi një pjesëmarrje sa më të lartë të qytetarëve në zgjedhje, si dhe një rezultat të gjithëpranuar.

Partia e Lirisë mbetet në çdo kohë e angazhuar për të bërë gjithçka, si në planin politik ashtu edhe të ekspertizës teknike të nivelit të lartë, në mënyrë që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve dhe ku çdo shqiptar të votojë i lirë, pa presion dhe kërcënime”, tha sekretari i përgjithshëm i PL, Tedi Blushi.

Fraksion.com