Berisha: Fillimisht të kthehen gjobat e mbledhura prej 2014-ës me ligj antikushtetues
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka kërkuar drejtuesve politikë të qarqeve të kësaj force politike që të zhvillojnë takime të përditshme me qytetarët. Berisha tha se përfaqësuesit e opozitës duhet t’u qartësojnë programin qytetarëve.
“Një punë intensive kërkohet nga ne, duke mos harruar kurrë se ngrohtësinë e takimit dhe bisedës dhe të baltës në këpucë duke trokitur tek dera e tjetrit, nuk e zëvendëson kurrë akulli i ekranit. Prandaj dhe ne duhet të ndërmarrim atë që kemi kërkuar dhe kemi thënë në mënyrë të përsëritur, takimet me qytetarët.”
“T’i qartësojmë në radhë të parë për programin tonë të emergjencës, i cili ju garantoj se është 100% i realizueshëm dhe pastaj ne do të shpalosim dora-dorës, programin për sektorët, programin në tërësi. Do të jetë një program që do t’iu japë përgjigje më të vendosur jo vetëm problemeve të akumuluara, por problemeve të perspektivës, se ne qëndrojmë për zhvillimin, qëndrojmë për të ardhmen”, tha Berisha.
Duke u ndalur te zhvillimet në Kuvend dhe nisma e Partisë Socialiste për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale, Berisha tha se mazhoranca fillimisht duhet t’u kthejë lekët atyre që ua ka marrë nga 2014 me një ligj antikushtetues.
“Prej disa vitesh Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e vitit 2014, mbi të cilin kanë vënë gjoba, KÇK-ja, çfarë ishte ajo. Çdo gjobë duhej t’i kthehej qytetarit se ka qenë e paligjshme, ka qenë jokushtetuese. Pasi i kanë mbushur valixhet me dhjetëra e dhjetëra milionë gjoba, po i heq. Kthejua gjobat të gjithë atyre që ua ke marrë që nga vitit 2014 me një ligj antikushtetues! Kjo është detyrimi. Ndaj dhe thashë janë në një panik të madh”, tha Berisha.
Sa i takon mbylljes së seancës plenare dhe debateve në Kuvend, Berisha tha se deputetët socialistë “prishën seancën se nuk mund të japin shpjegim para qytetarëve për vrasjen në gjirin e shkollës të 14-vjeçarit dhe agresojnë me program, me projekt, agresojnë deputeten tonë, në mënyrë se si e si të sabotojnë, braktisin parlamentin, luftë se kush duhet të jetë kryetare parlamenti”.
Për sa i përket votës së diasporës, Sali Berisha kërkoi angazhimin e deputetëve “për të krijuar çdo lloj lehtësimi dhe mundësie që mbi 1 milion e gjysmë votues që ndodhen jashtë, qytetarë shqiptarë me të drejtë vote që ndodhen jashtë, të mund të shprehin vullnetin e tyre politik, për kandidatët, kandidatet, forcat politike që ata u besojnë”.
Berisha tha se “ecuria në rrafshin zyrtar dhe burokratik, nuk është ajo që duhet të ishte, duhej të ishte më e shpejtë, por natyrisht, Edi Rama përpiqet e bën gjithçka për ta sabotuar”.
Fraksion.com