AktualitetBota+Të fundit

Presidenti i Koresë së Jugut thotë se do të tërheqë vendimin për gjendjen e luftës

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tha se do të tërheqë vendimin e tij për shpalljen e gjendjes së luftës, pas takimit të kabinetit, që pritet të mbahet brenda orësh.

Më herët gjatë 3 dhjetorit, gjatë një adresimi televiziv, ai njoftoi se kishte shpallur gjendje lufte, duke e akuzuar opozitën se është “forcë antishtetërore” dhe duke thënë se po vepronte për të mbrojtur vendin nga “kërcënimet” që paraqet Koreja e Veriut.

Asambleja Kombëtare u mbush me ushtarë dhe policë mbrëmjen e 3 dhjetorit dhe helikopterët u panë duke bërë ulje në çatinë e Parlamentit, teksa shefi i ushtrisë, gjenerali Park An-su, mori përsipër komandën sipas vendimit për shpalljen e gjendjes së luftës dhe menjëherë lëshoi dekretin që ndalon “të gjitha aktivitetet politike”.

Tri orë pas vendimit të presidentit, Parlamenti votoi për heqjen e vendimit për shpalljen e gjendjes së luftës, teksa kryetari i Parlamentit, Woo Won Shik, deklaroi se vendimi për shpallje të gjendjes së luftës “është i pavlefshëm”, duke shtuar se ligjvënësit “do ta mbrojnë demokracinë së bashku me njerëzit”.

Lee Jae-myung, udhëheqësi i Partisë Demokratike, partia që ka shumicën në Parlament, deklaroi se deputetët e tij do të qëndrojnë brenda sallës kryesore të Parlamentit, derisa Yoon zyrtarisht të tërheqë vendimin e tij.

“Ligjvënësit e Partisë Demokratike, përfshirë mua dhe shumë të tjerë, do ta mbrojnë demokracinë e shtetit tonë dhe të ardhmen, si dhe sigurinë publike, jetën dhe pronat, me jetën tonë”, tha Lee për gazetarët.

Jo Seung-lae, ligjvënës i kësaj partie, pretendoi se sipas kamerave të sigurisë, trupat ushtarake po synojnë që ta arrestojnë shefin e partisë së tij, Lee, dhe madje edhe udhëheqësin e partisë së presidentit, Han Dong-hoon.

Qindra protestues u mblodhën para Parlamentit duke kërkuar që të lejohen të hyjnë brenda, teksa Policia ruajti ndërtesën dhe forcat speciale tentuan të hynin.

Koreja e Jugut është aleate e madhe e Shteteve të Bashkuara në Azi dhe një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, pas shpalljes së gjendjes së luftës tha se Uashingtoni “po monitoron nga afër situatën”.

Njoftimi i befasishëm i Yoonit – kjo është hera e parë në mbi 40 vjet që Koreja e Jugut shpall gjendje lufte – u bë në kohën kur partia e tij dhe opozita po përplasen për buxhetin.

“Për të ruajtur Korenë e Jugut si vend liberal nga kërcënimet që paraqesin forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementet antishtetërore që rrëmbejnë lumturinë dhe lirinë e njerëzve, shpall gjendje emergjente lufte”, tha Yoon gjatë adresimi drejtuar kombit.

Ai nuk dha detaje lidhur me kërcënimet sa i përket Veriut, por Jugu teknikisht është në luftë me Phenianin që ka armë bërthamore.

“Duke shpërfillur jetën e njerëzve, partitë opozitare kanë paralizuar qeverisjen vetëm për shkak të qëllimit për shkarkime, hetime speciale dhe për të mbrojtur liderët e tyre nga drejtësia”, tha Yoon.

“Asambleja jonë Kombëtare është bërë strehë për kriminelët, një strofull e diktaturës që kërkon të paralizojë sistemin gjyqësor dhe administrativ dhe të përmbysë rendin tonë liberal e demokratik”, shtoi ai.

Me shpalljen e gjendjes së luftës, të gjitha njësit ushtarake në Jug janë urdhëruar që të forcojë gatishmërinë e tyre emergjente dhe të reagimit, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap.

Kina, aleate e Koresë së Veriut, u bëri thirrje shtetasve të saj që gjenden në Jug që të rrinë të qetë dhe të jenë të kujdesshëm.

Shefi i ushtrisë, Park, po ashtu ndaloi “veprimet që nuk e pranojnë apo kërkojnë përmbysjen e sistemit demokratik liberal, përfshirë përmes përhapjes së lajmeve të rreme, manipulimit të opinionit publik dhe propagandës së rremë”.

Presidenti e cilësoi opozitën, që ka shumicën në Parlamentin prej 300 ulësesh, si “forcë antishtetërore që synon të përmbysë regjimin”.

Yoon e përshkroi vendimin për shpalljen e gjendjes së luftës “si të pashmangshme për të garantuar vazhdimësinë e Koresë së Jugut si shtet liberal”, duke shtuar se vendimi nuk do të ketë ndikim në politikën e jashtme të shtetit.

“Do ta rikthej shtetin në normalitet duke hequr qafe forcat antishtetërore sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Ai tha se situata aktuale në Korenë e Jugut “është buzë kolapsit, me Asamblenë Kombëtare që po vepron si një përbindësh që synon rrëzimin e demokracisë liberale”.

Partia Fuqia e Popullit e Yoonit dhe partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, janë duke u përplasur për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Deputetët opozitarë javën e kaluar miratuan zvogëlimin e buxhetit, përmes Komisioneve parlamentare.

Opozita ka shkurtuar afër 2.8 miliardë dollarë nga buxheti i propozuar nga Yooni. Yoon propozoi që buxheti të ishte në vlerë prej 677 trilionë dollarësh. Por, opozita ka shkurtuar fondet e Qeverisë dhe për aktivitetet e zyrës së Yoonit, të prokurorisë, Policisë dhe agjencisë shtetërore të auditimit.

Yoon, ish-prokuror, ka akuzuar deputetët opozitarë se kanë shkurutar “të gjitha shpenzimet thelbësore për funksionimin e shtetit, sikurse është lufta kundër trafikimit të drogës dhe siguria publike… duke e kthyer shtetin në një strehë për trafikantët e drogës dhe kaos sa i përket sigurisë publike”./Eel

 

Fraksion.com