AktualitetBota+Të fundit

Kore e Jugut, Presidenti Yoon shpall vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, shpalli të martën vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, në një fjalim të befasishëm televiziv para kombit natën vonë, duke vënë në shënjestër kundërshtarët politikë vendas dhe duke tronditur vendin.

Presidenti Yoon tha se partitë opozitare kishin marrë peng procesin parlamentar. Ai u zotua të çrrënjosë “forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut” dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.

Parlamenti i Koresë së Jugut, me 190 nga 300 ligjvënës të pranishëm, miratoi një mocion të martën, duke kërkuar që shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti Yoon Suk Yeol të hiqet.

Udhëheqësi opozitar Lee Jae-Myung tha se të gjithë ata që po vepronin nën urdhrat e Presidentit Yoon po shkelnin ligjin, meqë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ishte e pavlefshme.

Agjencia e lajmeve Yonhap citoi ushtrinë të thoshte se aktivitetet e parlamentit dhe partive politike do të ndaloheshin dhe se mediat dhe botuesit e tyre do të ishin nën kontrollin e komandës së ligjit ushtarak.

Zoti Yoon nuk përmendi ndonjë kërcënim konkret nga Koreja e Veriut që ka armë bërthamore, duke u përqendruar tek kundërshtarët e tij politikë të brendshëm.

Forcat ushtarake u panë duke hyrë në parlamentin e Koresë së Veriut pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa punonjësit e parlamentit përpiqeshin të zmbrapsnin ushtarët duke i spërkatur me bombolat për shuarjen e zjarrit.

Është hera e parë që nga viti 1980 që shpallet ligji i jashtëzakonshëm ushtarak në Korenë e Jugut.

Paraardhësi i zotit Yoon, Moon Jae-in i Partisë Demokratike, tha në një postim në rrjetin X se demokracia e vendit është në krizë.

“Shpresoj që Asambleja Kombëtare të veprojë shpejt për të mbrojtur demokracinë tonë nga rrënimi”, shkruante ai në një postim.

“I kërkoj popullit të bashkojë forcat për të mbrojtur dhe shpëtuar demokracinë dhe për të ndihmuar Kuvendin Kombëtar të funksionojë normalisht”.

Nënsekretari amerikan i Shtetit Kurt Campbell tha të martën se Shtetet e Bashkuara po i ndiqnin zhvillimet në Korenë e Jugut, një vend aleat, me “shqetësim të thellë” dhe se shpresojnë që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit.

Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me qeverinë e Koresë së Jugut dhe po monitorojnë situatën nga afër, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për t’u mbrojtur kundër Phenianit. Një zëdhënës i komandës ushtarake amerikane nuk i është përgjigjur kërkesave për koment.

Pak pas fjalimit të Presidentit Yoon, protestuesit u mblodhën para ndërtesës së parlamentit, disa prej tyre duke brohoritur:“Tërhiqeni shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme!”/VOA

 

Fraksion.com