AktualitetPolitikëTë fundit

Gjylameti: Projektbuxheti 2025, mbështetje sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të zgjedhjeve

Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti paraqiti sot në seancën plenare të Kuvendit, raportin me ndryshimet e propozuara në projektbuxhetin e vitit 2025, për shtesë fondesh nga komisionet dhe të dakordësuara mes Komisionit të Ekonomisë si komision përgjegjës dhe Ministrisë së Financave.

Komisioni propozon shtesë fondi për një sërë institucionesh, ndër to, institucionet e reja të drejtësisë si KLGJ-së me 500 milionë lekë, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë një fond prej 26.7 milionë lekësh, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik i shtohen 32 punonjës me kontratë 6-mujore, si dhe shpenzimet e personelit në vlerë 48.1 milionë lekë. Ky fond shkon si mbështetje për të finalizuar procesin e mbylljes së veprimtarisë administrative të këtyre dy komisioneve.

Për Shkollën e Magjistraturës shtohet një fond prej 6.1 milionë lekësh.
Për SPAK shtohet një fond prej 200 milionë lekësh, nga të cilat për personelin 100 milionë lekë dhe shpenzime kapitale 100 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës.

Për Gjykatën Kushtetuese shtohen 5 punonjës dhe shpenzimet me 12 milionë lekë, nga të cilat 7 milionë lekë shpenzime personeli dhe 5 milionë lekë janë shpenzime operative.

Projektbuxhetit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare iu shtua një fond me vlerë prej 6 milionë lekësh që do të shërbejë për ruajtjen dhe konservimin e arkivës së institucionit.

Po ashtu, shtesë fondi me 160 milionë lekë u miratua edhe për Kuvendin e Shqipërisë për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike, rritjen e shpenzimeve për udhëtimet jashtë shtetit, në konferencat në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Për Komisionerin e Prokurimit Publik shtohen shpenzimet me 8 milionë lekë.

Në Shërbimin Informativ Shtetëror shtohen shpenzimet operative me 50 milionë lekë për aktivitetet e institucionit.

Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shtohet një fond prej 190 milionë lekësh ndër të cilat 134 milionë lekë për shpenzimet kapitale, konkretisht për financimin e sistemit të indeksimit kërkimit dhe ruajtjes së pamjeve filmike, modulin e hartave të qendrave të votimit, modulin e administratës, etj. Për shpenzimet operative shtohen 56 milionë lekë për funksionimin e institucionit gjatë zgjedhjeve të 2025-ës.

Po ashtu, shpenzimet e Fondit Rezervë për zgjedhjet parlamentare 2025 shtohen me 500 milionë lekë.

Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave shtohet me 300 milionë lekë.

Në Autoritetin për të Drejtat e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shtohen shpenzimet kapitale me 8 milionë lekë. Në

Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit shtohen shpenzimet kapitale me 8 milionë lekë për ndërtimin e platformës “Mësojmë nga e kaluara” .

Në Drejtorinë e Shërbimeve qeveritare shtohen shpenzimet operative për të reflektuar rritjen e pagave në analogji me administratën publike.

Bëhen disa ndryshime në lidhje me pushtetin vendor për transfertën e pakushtëzuar ku propozohen rialokime të fondit për menaxhimin e mbetjeve urbane, që i përgjigjet shtimit të numrit të popullsisë dhe trendit të turizmit në këto bashki.

Shtesë fondesh përfituan edhe RTSH, INSTAT, KLSH.

 

Fraksion.com