Berisha: Çfarë është objekt në planin e përhapjes së ushtrisë do i mbetet asaj
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, PD është kategorik kundër dorëzimit të bazave të ushtrisë tek bizneset për turizëm.
Ai theksoi se, çfarë është objekt në planin e përhapjes së ushtrisë do i mbetet ushtrisë.
Në një prononim për mediet pas daljes nga seanca plenare, Berisha tha se, PD do të anulojë dhënien e bazave detare.
“Anulim i të gjithave pa asnjë diskutim dhe rikthim i ushtrisë me radhë. Ato prishen pa asnjë lloj vështirësie. Ato janë prona të ushtrisë në planin e përhapjes dhe ato nuk mund të jepen kurrë. Edi Rama për të justifikuar veten, tani deklaroi se pronat e ushtrisë do kthehen për turizëm”, tha Berisha.
Kreu i PD akuzoi edhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
“Po kush e bëri Bajramin, Haramin president? Ato prona e bënë. Sepse firmosi pa pyetur Presidentin e Republikës, që nuk mund të firmoste kurrë.
Presidenti i Republikës në Kushtetutë është kryekomandanti i ushtrisë, dhe çdo objekt që ndodhet në planin e përhapjes të Forcave të Armatosura, Saranda ka qenë, Shëngjini ka qenë në një pjesë, Durrësi ka qenë, pra janë të caktuara ato. Ky, tani këto të gjitha do t’i marrë dhe të ndërtojë. Nuk mund të bëhet kurrë vetëm për ta, është vetë aksioner”, tha Berisha.
Ai shtoi se, qëndrimi i PD është kategorik kundër dorëzimit të bazave të ushtrisë.
“Në raport me oligarkët, kjo parti ka qeverisur në 8 vite. Le të thoni një oligark çfarë ka përfituar nga qeveria. Thoni një përfitim të vetëm, absolutisht asnjë. Unë denoncoj me emra kur i kap në vepra të rënda, por unë po them që do anulohet sepse ata i kanë marrë përmes Edi Ramës”, tha Berisha.
“Unë e deklaroj publikisht, çfarë është objekt në planin e përhapjes së ushtrisë do i mbetet ushtrisë. Ai plan përhapjeje është studiuar nga një kompani shumë e mirë amerikane, e kontraktuar ka mundësi dhe e paguar nga Pentagoni si kompani për të bërë planin e përhapjes së Forcave tona të Armatosura në kuadër të NATO-s. Ndaj dhe unë nuk do ngurroj kurrë. Ja unë do denoncoj pas pak orësh një oligark për batërdinë që ka bërë te Kodra e Diellit”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se, do të mbështesë protestën e Partisë së Lirisë.
“Edhe nëse nuk jam fizikisht, jam shpirtërisht dhe mbështes çdo protestë kundër një instrumenti diktatorial, një instrument të narkoshtetit që është Skapi i partisë”, tha ai.
“Ata ranë brenda, treguan se ata po fshehin hetimin, po prishin hetimin e Jan Prengës se morën përsipër të thonë se dëshmitari i vdekur, Dedja nuk ka punuar tek kompleksi i Altin Hajrit. Dedja ka punuar tek kompleksi i Altin Hajrit dhe ky është një mashtrim që bën Altin Dumani për të fshehur prishjen e hetimeve”, tha Berisha.
Fraksion.com